
I dëmtuari kërkon përjashtimin e prokurorit në rastin ku ish-bashkëshortja e tij akuzohet për mospërfillje të gjykatës
I dëmtuari L.B. ka kërkuar përjashtimin e prokurorit Besim Susuri dhe i njëjti ka kërkuar që aktakuza të përfaqësohet nga prokurori që ka ngritur aktakuzën.
D.U. po akuzohet se ka kryer veprën penale – mospërfillje e gjykatës. Sipas Prokurorisë, D.U. nuk ia ka mundësuar kontaktet me fëmijën ish-bashkëshortit L.B.
Në shqyrtimin e së enjtes, i dëmtuari ka deklaruar se kërkon përjashtimin e prokurorit përfaqësues Besim Susuri dhe kërkon që aktakuzën ta përfaqësojë prokurori që ka ngritur aktakuzën, Musli Gashi.
“Kërkoj përjashtimin nga kjo çështje e prokurorit nga të cekurat si më lartë dhe që lënda t’i dërgohet Kryeprokurorit të Shtetit në vendosje”-tha i dëmtuari.
Mbrojtësja e të akuzuarës, Fatbardha Elez Kurtaj, ka kundërshtuar këtë kërkesë pasi që sipas saj çështja vetëm sa po prolongohet.
Gjykata aprovoi propozimin e të dëmtuarit dhe lënda do të dërgohet te Kryeprokurori i Shtetit për kërkesën për përjashtimin.
Paraprakisht në këtë seancë e akuzuara D.U. ka pranuar fajësinë për veprën me të cilën ngarkohet. Mirëpo ky pranim i fajësisë është kundërshtuar nga ana e Prokurorisë.
“Kundërshtoj pranimin e fajësisë ngase nuk kemi të bëjmë me vepër penale që e pandehura akuzohet, por kemi të bëjmë me çështje statusore familjare ngase nëse i referohemi aktgjykimit në kontestin civil palët janë marrë vesh dhe kanë zgjidhur martesën dhe në këtë rast është vendosur rreth mbajtjes së kontakteve me fëmijën” – tha prokurori Besim Susuri.
Prokurori më tej shtoi se aktgjykimi nuk e ka obliguar të pandehurën dhe atë nën kërcënimin se nuk guxon ta ndërrojë vendbanimin, gjë që sipas prokurorit nuk mund t’ia imponojë palës.
Në gjykim gjithashtu në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua edhe i dëmtuari L.B., i cili ka pretenduar se nuk e ka parë vajzën e tij që 2 vite pasi e ka marrë ish-bashkëshortja.
Ai ka sqaruar se fillimisht nëpërmjet një marrëveshjeje te noteri ka lejuar që vajza e tij të shkojë me ish-bashkëshorten jashtë vendit, por vetëm për një kohë të shkurtër, rreth dy javë.
Kurse, sipas tij, pasi ka marrë kërcënime nga ish-bashkëshortja se ‘nuk do ta shoh më vajzën’ e ka revokuar këtë vendim.
I dëmtuari ka shtuar se po ashtu ish-bashkëshortja ia ka ndaluar kontaktet me vajzën dhe pasi është revokuar vendimi për të mos e lejuar vajzën të shkojë jashtë ajo sipas të dëmtuarit ka depërtuar në Gjermani.
Nga salla u largua edhe vëllai i të dëmtuarit, K.B., i cili në Gjykatë përmendi edhe Kanunin dhe u drejtua me fjalët: “Si mos të jetë kjo vepër penale, kur vëllai im s’e ka parë fëmijën dy vite. Nëse nuk është vepër penale atëherë e dimë se ekziston edhe Kanuni”.
Në lidhje me këtë u njoftua edhe prokurori i shtetit.
Në lidhje me propozimin e përjashtimit të prokurorit Besim Susuri, Kryeprokurori i Shtetit pritet të marrë vendim.
Gjykata gjithashtu të enjten refuzoi edhe propozimin e Gent Gjinit, përfaqësues i të dëmtuarit që çështja për akuzën e mospërfilljes së gjykatës të shkojë në ndërmjetësim.
Në fund Fatbardha Elezkurtaj, avokate e D.U., ka propozuar që të akuzuarës t’i ndërpritet arresti shtëpiak.
Sipas aktakuzës, D.U. akuzohet se nuk e përfilli aktgjykimin e plotfuqishëm të Gjykatës në Departamentin civil, ku udhëzohet propozuesja – e pandehura detyrohet që t’ia mundësojë kontaktin me fëmijën e mitur të dëmtuarit L.B., pa kufizime dhe sipas marrëveshjes së tyre të lirë.
Me të cilat veprime, sipas Prokurorisë, ka kryer veprën penale mospërfillja e gjykatës.
Rasti po drejtohet nga gjykatësi i çështjes, Luan Berisha, ndërsa aktakuza u përfaqësua nga prokurori Besim Susuri.