Dibran Hoxha gjatë seancës gjyqësore. Foto: KALLXO.com/22.11.2024

Vrasja e kuksianit, dalin para gjykatës Dibran Hoxha ‘Kobra’ dhe të tjerët

Asnjë nga të akuzuarit në rastin e vrasjes së të riut nga Kukësi në lokalin ‘Cobra City’ në Prizren, nuk e kanë pranuar fajësinë në shqyrtimin gjyqësor që u mbajt më 22.11.2024, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Të akuzuarit: Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badallaj, në shqyrtimin gjyqësorë nuk e kanë pranuar fajësinë lidhur me rastin e vrasjes të ndodhur në afërsi të lokalit ‘Cobra City’ në Prizren në vitin 2023.

Të akuzuarit lidhur me vrasjen në “Cobra City” nuk kishin pranuar fajësinë edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 07.03.2024.

Në shqyrtimin kryesor të mbajtur më 22.11.2024, Kobra, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badallaj përsëri deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë.

“Nuk ndihem fajtor”- ishin fjalët e të akuzuarit për vrasje të rëndë, Dibran Hoxha.

Tutje procesi gjyqësorë vazhdoi me fjalët hyrëse të prokurores Florije Shamolli, përfaqësuesit të palës së dëmtuar, Emrush Kastrati dhe avokatëve të akuzuarve.

Prokurorja Speciale, Florije Shamolli gjatë fjalëve hyrëse tha se konflikti i cili çoi në vrasjen e V.C. ishin faturat, pasi aty kishte filluar konflikti.

“Nga provat të cilat do të administrohen në shqyrtimin kryesor në mënyrë të qartë do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen sipas aktakuzës së prokurorisë speciale”. – tha prokurorja Shamolli gjatë fjalëve hyrëse.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Emrush Kastrati i mbështeti fjalët hyrëse të prokurores dhe i njëjti tha se në bazë të dëshmitarëve që do të dëgjohen gjatë shqyrtimit gjyqësorë, provave materiale trupi gjykues do bindet, do t’i shpallë fajtorë dhe do të iu shqiptoj dënim në pajtim me ligjin.

Avokati i Dibran Hoxhës, Florent Latifaj gjatë fjalëve hyrëse tha se besojnë fuqishëm se nga 83 prova të propozuara që do të administrohen, do të provojnë pafajësinë e Dibran Hoxhës, pasi i njëjti nuk është kryerës i kësaj vepre penale.

Ndërsa mbrojtësi  i Ronald Susurit, avokati Vahid Halili tha se nga provat që do të administrohen në shqyrtim gjyqësorë nuk do të vërtetohen pretendimet e aktakuzës dhe se ndaj mbrojturit të tij do të nxirret aktgjykim lirues.

Avokati Blend Gjini i cili mbron të akuzuarin Arben Vezaj po ashtu tha se pas administrimit të provave sipas aktakuzës do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.

“Pas administrimit provave, sipas aktakuzës do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit tim ngase me asnjë provë të vetme nuk e vërteton se i mbrojturi im është përgjegjës për veprën penale të cilën ngarkohet, natën kritike lokalin ‘Kobra’ i njëjti si staf aty që ka punuar, ai ka qenë i sulmuar dhe është i vetmi që ka dashur dhe ka tentuar të qetësoj situatën duke biseduar me palët, po ashtu një fakt shumë i rëndësishëm është se në natën kritike ai ka telefonuar dy herë policinë dhe ka kërkuar që urgjentisht mu paraqit te lokali ‘Kobra’” – tha avokati Blend Gjini.

Po ashtu mbrojtësi i të akuzuarit Burim Mazrekut, avokati Gent Gjini, kërkoi lirim për klientin e tij.

Ndërsa avokati Jeton Rekathati, për të mbrojturin e tij Jetmir Badallaj, tha se nga provat do të vërtetojnë se i njëjti nuk ka kryer veprën penale për çka akuzohet.

Të akuzuarit i mbështeten të gjitha fjalët hyrëse të mbrojtësve të tyre.

Kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi tha se në këtë seancë nuk ka të ftuar dëshmitarë, pasi në këtë seancë ka planifikuar që të merret vetëm fjala hyrëse e palëve.

Seanca e sotme u ndërpre dhe ajo e radhës u caktua me datë 23.01.2025.

Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës në përbërje të trupit gjykues Kujtim Krasniqi, kryetar i Trupit Gjykues dhe anëtarët Ngadhnjim Arrni dhe Vesel Ismajli.

Ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Florije Shamolli.

Babi i viktimës, Behar Cengu, tha në Gjykatë se i mbështet fjalët e avokatit të tij dhe se kishte diçka për thënë:

“Më ka ikur fëmija në moshën më të mirë dhe kemi prit me qindra njerëz dhe kurrë nuk na ka shku menja me bo një gjë të tillë. Dhe arma, nuk përdorët kurrë arma në vëllain e vet, njerëzit e vet” – shtoi tutje i dëmtuari Cengu gjatë seancës së sotme.

Dosja e Prokurorisë

Dibran Hoxha po akuzohet për vrasjen e rëndë të viktimës V.C. më 03.01.2023 në afërsi të lokalit të tij “Cobra City” në Prizren.

Sipas aktakuzës vrasja ka ndodhur për motive të ulëta të demonstrimit të forcës së paskrupullt për të gjithë ata që e kundërshtojnë atë.

Dosja thotë se deri tek vrasja çoi një faturë e lartë në lokal e cila rezultoi me rrahje mes punëtorëve të lokalit dhe viktimës e të dëmtuarve Rutgen Tsyatkova dhe Arben Basha. Këta të fundit, sipas dosjes, kanë hyrë në veturë për tu larguar por në atë kohë arrin Kobra i cili ishte njoftuar për ngjarjen.

Kështu, në dosje thuhet se vetura me viktimën ka qenë duke u nisur dhe në atë moment, Dibran Hoxha e ka hapur derën e shoferit ku me pistoletë e ka goditur të dëmtuarin Rutgen Tsyatkova.

Më pas, dosja thotë se i akuzuari Hoxhaj ka shtënë edhe katër herë, me ç’rast ka goditur viktimën V.C., i që ka qenë ulur në pjesën e pasme të makinës dhe i cili rrugës për në spital, kishte ndërruar jetë.

Për këtë, prokuroria e ngarkon me veprën penale të vrasjes së rëndë si dhe për armëmbajtje pa leje.

Ndërkaq, të akuzuarit Roland Susuri dhe Burim Mazreku akuzohen për manipulim me prova.

Roland Susuri, Jetmir Badallaj dhe Arben Vezaj akuzohen për pjesëmarrje në rrahje. Ndërsa Roland Susuri dhe Jetmir Badallaj po akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Raportimet e kallxo – LINK