Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

20 vjet burgim për vrasjen e 27-vjeçarit në tregun e gjelbër në Mitrovicë

Gjykata e Prizrenit e ka gjetur fajtor dhe ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Shefki Asllanit, i akuzuar për vrasjen e 27-vjeçarit në tregun e gjelbër në Mitrovicë pas një mosmarrëveshje që dyshohet se lindi pas një bisede rreth rritjes ose jo të një fidani të fikut në Kosovë.

Më 17.01.2025 gjykata i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 20 vitesh të akuzuarit Shefki Asllani për shkak të veprës “vrasje e rëndë”. Ndaj të njejtit është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Shpallja e këtij aktgjykimi është bërë nga Raima Elezi, kryetare e trupit gjykues dhe anëtaret Teuta Krusha dhe Vjollca Buzhala.

Ngjarja tragjike sipas aktakuzës ka ndodhur në tregun e Mitrovicës më 17.04.2021.

Prokuroria e Mitrovicës më 28.10.2021 ka ngritur aktakuzë kundër Shefki Asllanit për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Asllani, më 17.04.2021, rreth orës 12:40, në Mitrovicë, në brendi të Tregut të Gjelbër, me dashje ka privuar nga jeta V. F.

Në aktakuzë thuhet se pas një fjalosje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut ka ardhur deri te konflikti fizik, ku së pari V.F. e ka goditur me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i ka shkaktuar plagë shqyese në regjionin e kokës, me ç‘rast i pandehuri e ka nxjerrë revolen nga brezi dhe e ka qëlluar viktimën, duke e goditur në pjesën e përparme të trupit. Si pasojë e këtyre plagëve viktima V.F ka vdekur.

Si pasojë e të shtënave nga i pandehuri, janë plagosur edhe L.F. si dhe kalimtari i rastit A.A.

Rasti është transferuar në Gjykatën e Prizrenit nga Gjykata e Mitrovicës pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në nëntor të vitit 2022.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.