I akuzuari në Kroaci, zvarritet gjykimi për falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve

 

Seanca ndaj Florent Murselit, i akuzuar nga Prokuroria për falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve ka dështuar të mbahet në Gjykatën e Gjilanit.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Florent Murseli ka falsifikuar rezultatin e votimit në zgjedhjet e datës 06 tetor.

Aktakuza thotë se Murseli, me datën 06.10.2019, në Gjilan në shkollën “Abaz Ajeti”, dhoma nr.6 shton shenjen “tik”, tek numri 35 i kandidatit potencial të atij subjekti, ashtu që regjistron në mënyrë të pa saktë rezultatin e zgjedhjeve, e gjithë kjo me qëllim të falsifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Me këto veprime sipas aktakuzës, i akuzuari Florent Murseli e ka rritur numrin e votave për kandidatin e caktuar ose listën e caktuar.

Kryetari i trupit gjykues Agim Ademi tha se nuk ka kushte për seancën e sotme pasi që mungon i akuzuari Florent Murseli.

“Gjykatës me datën 31 janar i ka arritur një parashtresë nga avokati Tefik Dushica, ku ka propozuar që seanca e caktuar për sot të shtyhet pasi që i njëjti gjendet në Kroaci për punë dhe kur të kthehet do të paraqitet vet në Gjykatë”, tha Gjykatësi Agim Ademi.

Seance që është dashur të mbahet sot, u shtye për datën 25 shkurt.