Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për sulm ndaj gjykatësit në Vushtrri, i pandehuri nuk e do avokatin e caktuar sipas detyrës zyrtare

Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Shukri Shytit, e paraparë për sot në Gjykatën e Mitrovicës, nuk u mbajt.

Shyti akuzohet se më 10 dhjetor 2019, në Vushtrri, kishte sulmuar personin zyrtar – Rifat Bllata, gjykatës mbikëqyrës në Gjykatën e Mitrovicës, dega në Vushtrri, në lidhje me detyrat e tij zyrtare.

I pandehuri Shyti nuk është pajtuar me avokatin që atij i është caktuar sipas detyrës zyrtare.

Në këtë seancë, i akuzuari Shyti ka kërkuar për mbrojtës avokatin Rexhep Kaçaniku, i cili e kishte mbrojtur të pandehurin në fazat paraprake të procedurës, duke thënë se nuk dëshironte të mbrohej nga avokati Besim Parduzi, i caktuar sipas detyrës zyrtare.

Nga gjykatësi Gëzim Ademi i pandehuri është njoftuar se avokati Kaçaniku përmes një parashtrese të dorëzuar më 14 janar 2020 i kishte kërkuar Gjykatës që të shtyhet kjo seancë, pastaj përmes telefonit i kishte propozuar që të caktojë një avokat tjetër për të pandehurin.

Në këto rrethana, gjykatësi Ademi ka deklaruar se ka revokuar autorizimin ndaj avokatit Kaçaniku dhe në konsultim me Odën e Avokatëve ka caktuar avokatin tjetër.

“Andaj gjyqtari meqenëse i pandehuri Shukri Shyti është në masën e sigurisë në paraburgim, të njëjtit sipas detyrës zyrtare pas konsultimit me OAK i cakton avokat Besim Parduzin, nga Mitrovica, i cili tash e tutje do ta mbrojë të akuzuarin në procedurën penale në vazhdim, gjersa të ekzistojnë kushtet ligjore”, tha Ademi.

Ndërsa këtë e ka kundërshtuar i pandehuri, duke deklaruar se ai nuk mund ta përfaqësojë atë dhe se e dëshiron avokatin Rexhep Kaçaniku.

Për këtë shkak, gjykimi është shtyrë për më 4 shkurt.

Prokuroria e Mitrovicës akuzon të pandehurin Shukri Shyti, se më 10 dhjetor 2019, në rrugën “Skënderbeu”, në Vushtrri, kishte sulmuar personin zyrtar, të dëmtuarin Rifat Bllata, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën e Mitrovicës, dega në Vushtrri, në lidhje me detyrat e tij zyrtare.

Sipas Prokurorisë, i dëmtuari kishte nxjerrë një urdhëresë në kuadër të detyrave zyrtare ndaj të pandehurit, me ç’rast ky i fundit i pakënaqur me ketë vendim, siç pretendon organi i akuzës, ditën kritike fillimisht e kishte goditur me shqelm në pjesën e gjurit në këmbën e djathtë, e më pastaj në zogun e këmbës së majtë, ndërsa me çadrën të cilën e mbante në duar e kishte goditur në ballë dhe hundë, si dhe me vezë në kokë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore në regjionin e fytyrës dhe të këmbëve.

Me këtë, sipas Prokurorisë, ka kryer veprën penale “sulmi ndaj personit zyrtar”.