Ilustrim

Gjykimi ndaj Dhurata Hoxhës dhe të tjerëve, dëshmon zyrtari i prokurimit

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ish-drejtori i prokurimit publik, Fitim Musafa dhe tre ish-sekretarët e kësaj ministrie, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani po përballen me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në këtë rast, ata po akuzohen për kontratën lobuese, konkretisht se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke nënshkruar kontrata me vlerë disa mijëra euro dhe duke i mundësuar operatorëve të ndryshëm ekonomik përfitimin e dobisë pasurore në një kontratë për lobim.

Në shqyrtimin e sotëm gjyqësorë, të akuzuarit u përballën me deklaratën e njërit nga dëshmitarët e propozuar të prokurorisë, Osman Bytyqi, zyrtar në zyrën e prokurimit publik në Ministrinë e Integrimeve Evropiane.

Dëshmitari Bytyqi u përgjigj pyetjeve të parashtruara, duke përshkruar tërë procedurën e prokurimit publik që bazohet në ligj.

Bytyqi deklaroi se është në diskrecion të autoritetit kontraktues që të vendos në lidhje me procedurën që do të përdorë për prokurim, pra a do të jetë ajo e rregullt apo e jashtëzakonshme.

Në rastin konkret, dëshmitari deklaroi se ndryshimi mes procedurës së rregullt dhe asaj të jashtëzakonshme është se kjo e dyta e kufizon transparencën dhe konkurrencën e lirë, prandaj edhe rregullat e prokurimit e specifikojnë atë.

“Rregullat e prokurimit publik e kanë pa si procedurë të jashtëzakonshme për shkak se i kufizon transparencën dhe konkurrencën e lirë” – tha dëshmitari Bytyqi në seancë.

Dëshmitari deklaron se autoriteti kontraktues duhet medoemos që të arsyetojë në arsyetim të vendimit se pse e ka vlerësuar se një operatorë ekonomik ka të drejta ekskluzive që negocimi të zhvillohet vetëm me ta.

“Në rast se këto rrethana ekzistojnë, kjo duhet të argumentohet se çfarë të drejta ekskluzive ka pas ajo kompani që është ftuar në negocim, sa i përket aspektit procedural, a janë plotësuar kushtet “ – tha dëshmitari Bytyqi.

I pyetur nga mbrojtja e njërit nga të akuzuarit, se a e lejon ligji që autoriteti kontraktues të zhvillojë negociata vetëm me një operator ekonomik, dëshmitari u përgjigjë duke thënë se i lejohet.

“A lejohet që sipas nenit 35 të ligjit të prokurimit publik, për arsye objektive që Autoriteti Kontraktues, të zhvillojë negociata apo të lidh kontratë vetëm më një operator ekonomik” – e pyeti avokati Mehdi Geci.

“Po, lejohet. Ligji e ka leju” – u përgjigje dëshmitari Bytyqi.

Dhurata Hoxha bashkë me drejtorin e prokurimit, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishin keqpërdorur pozitën dhe detyrat e tyre me rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.

Aktakuza ndaj tyre u ngrit pasi vitin e kaluar KALLXO.com kishte shfaqur hulumtimin se si paratë e taksapaguesve ishin përdorur  për të lobuar për ndryshim të kufijve.

Hulumtimi kishte zbardhur se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i pagoi 168,000.00 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi. Asokohe, kjo ministri drejtohej nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa  po i akuzon se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke nënshkruar kontrata me vlerë disa mijëra euro dhe duke i mundësuar operatorëve të ndryshëm ekonomik përfitimin e dobisë pasurore.Më 1 shtator 2021 ish-ministrja dhe zyrtarët e tjerë u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Kontrata për lobim, Dhurata Hoxha rrezikon të dënohet deri në 10 vite burg

Hetimet në këtë rast penal filluan pas hulumtimit të KALLXO.com lidhur me ‘Kontratat lobuese’.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni në linkun e mëposhtëm.

Paratë e taksapaguesve u përdorën për të lobuar për ndryshim të kufijve