Prokuroria në Hagë ka përfunduar hetimet, kërkon fillimin e procesit gjyqësor ndaj Salih Mustafës

Në seancën në Gjykatën Speciale ndaj Salih Mustafës, të akuzuar për krime lufte të mbajtur sot u diskutua ecuria e kësaj çështje para kalimit të dosjes gjyqësore pranë trupit gjykues

Prokuroria e Specializuar ka bërë të ditur përfunduar hetimet ndaj në rastin e Mustafës dhe janë të gatshëm të fillojnë procesin gjyqësor.

“ ZPS ka përfunduar hetimet e veta, ka vetëm dy aktivitete hetimore që kanë mbetur e kemi diskutuar njëri prej tyre në seancën private dhe kemi depozituar një dokument të protokoluar sot në mëngjes, një aktivitet tjetër hetimor që është plotësisht në dijenin tuaj zotëri gjykatës…por që këto dy aktivitete nuk e pengojnë fare gatishmërinë për të kaluar në procesin gjyqësor, pra ne jemi gati për të filluar procesi gjyqësor “, tha prokurori gjatë seancës.

Kurse avokati i ish-komandantit të UÇK-së,  Salih Mustafës, Julius von Boné,  tha se do të ketë një alibi të paraqitur nga mbrojtja lidhur me hetimet ndaj tij për krime lufte si dhe do ftohen dëshmitarë sa i përket alibisë andaj ka kërkuar kohë shtesë për këtë.

Avokati ka kërkuar nga gjykata shtyrjen e afatit për të prezantuar alibinë e tij, pasi që paraprakisht do të bëjë një vizite në Kosovë, e të cilën planifikon ta përfundojë deri me datën 5 prill.

“Për hir të efikasitetit dhe për hir të plotësisë së dosjes paraprake do të ishte me e dobishme që të shtyhej ky afat siç e propozojmë ne, sa i takon konferencës së ardhshme, mendoj se nga fillimi i majit do të ishte e dobishme që edhe anëtarët e tjerë të ekipës të jenë të pranishëm përfshirë edhe klientin tim, për të pasur një pamje të plotë “, tha avokati.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet në paraburgim.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim ç’njerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me roje, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve.

Aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar gjatë luftës.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Specialja refuzon kërkesat e katër personave që të paraqiten si të dëmtuar në çështjen e Salih Mustafës