Specialja refuzon kërkesat e katër personave që të paraqiten si të dëmtuar në çështjen e Salih Mustafës

Gjyqtari i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara përmes një vendimi ka refuzuar aplikimet e katër personave për t’u bërë pjesëmarrës në procesin gjyqësor që po zhvillohet kundër i ish-komandantit të UÇK-së,  Salih Mustafës.

Këto kërkesa janë pranuar përmes postës elektronike.

Sipas vendimit të publikuar, tre aplikuesit nga e njëjta familje kanë nënshkruar dhe paraqitur në mënyrë kolektive një formular aplikimi, ku Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave  i ka regjistruar si tri aplikacione të ndryshme.

Ndërsa aplikuesi i katërt ka paraqitur një formular nënshkrimi.

“ZPV tutje vëren se aplikuesit nuk  kanë paraqitur dokumentacionin përkatës dhe të nevojshëm, ku pas vlerësimit të të gjitha kritereve të pranueshmërisë, ZPV nuk e konsideroi të nevojshme t’u kërkonte aplikantëve të plotësojnë aplikacionet e tyre dhe të i mbështesin ato me dokumentacionin e kërkuar”, thuhet në vendimin e Speciales.

Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave i ka rekomanmduar gjykatësit të procedurës paraprake që t’i refuzojë këto aplikacione meqenëse asnjë nga aplikuesit nuk kanë siguruar dokumentacion që vërteton identitetin e tyre, apo lidhjen e tyre gjeografike apo kohore me krimet që aktakuza ngarkon Mustafën.

Sipas gjyqtarit të procedurës paraprake krimet e përshkruara nga tre aplikuesit lidhen me ngjarje që kanë ndodhur disa vite pas fushëveprimit kohor të krimeve të cilat i përfshin aktakuza, dhe përfshijnë një lokacion që është jashtë vendit nga shtrirja gjeografike e akuzave, e që nuk konsiderohen që kanë të bëjnë me Mustafën.

Nën këto arsye janë refuzuar 3 kërkesat e aplikantëve.

Ndërsa sa i përket aplikuesit të katërt, gjyqtari përshkruan se dëmi i paraqitur nga aplikuesi përfshin ngjarje që nuk janë të lidhura me aktakuzën në fjalë, respektivisht me të akuzuarin.

Andaj edhe ky aplikim është refuzuar.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet në paraburgim.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me roje, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve.

Aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar gjatë luftës.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.