Seanca 11.01.2024, Gjykata e Prishtinës, Foto: Jetlira Buzhala, KALLXO.com

Dosja për dallaveret me patentë shoferë, dëshmitari Betim Reçica thotë se buxheti i shtetit nuk dëmtua asnjë cent

Nebih Shatri, Kadri Krasniqi dhe Pjetër Ndou, janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës. Ata akuzohen se duke qenë pjesë e Ministrisë së Infrastrukturës kishin keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare – ushtrim ndikimi në kalimin e testeve për patentë shoferë, punësim e tenderë.

Nebih Shatri akuzohet se duke qenë u. d. Sekretar i Përgjithshëm i kësaj Ministrie, nuk ka lidhur kontrata me dhjetëra ekzaminerë për patentë shoferë të angazhuar në Ministri dhe nuk kishte zhvilluar procedurë rekrutimi për të njëjtit.

Dosja e Prokurorisë thotë se veç kësaj, ai kishte ndryshuar edhe emrat e ekzaminerëve që i kishte propozuar drejtori i Departamentit për Patentë Shoferë.

Ndërsa, Kadri Krasniqi akuzohet se kishte lejuar hapjen e konkursit për provimin për Licencimin për ekzaminerë, në dijeni të të akuzuarit Nebih Shatri, pa planifikim paraprak.

Ata nuk e pranuan fajësinë për akuzat që iu vihen në barrë nga Prokuroria.

Në cilësinë e dëshmitarit për këtë rast u dëgjua Betim Reçica.

Ai kishte qenë ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm në këtë Ministri, pasues i të akuzuarit Nebih Shatri.

Ai tha se janë lidhur Kontrata për Shërbime të Veçanta me këta ekzaminerë për shkak që këta është dashur të kompensohen për punën që e kanë kryer.

Me veprimet e Nebih Shatrit dhe Kadri Krasniqit, Prokuroria në akuzën e saj po pretendon se i është shkaktuar dëm i madh buxhetit të Kosovës, kurse një gjë e tillë u mohua nga dëshmitari Reçica.

“Me përgjegjësi morale dhe si zyrtar i Ministrisë që kam qenë them se nuk ka pasur asnjë cent dëm dhe këtë jam munduar t’ia shpjegoj edhe hetuesit…” – tha ai para gjykatës.

Ai tha se ata (ekzaminerët) janë kompensuar për punën e tyre dhe nuk ka asnjë palë të dëmtuar.

Kurse lidhur me planifikim paraprak të rekrutimit, dëshmitari tha se me dispozita ligjore nuk obligohet një planifikim paraprak.

Për ushtrim ndikimi në këtë rast akuzohet Pjetër Ndou, i cili ka qenë këshilltar politik në këtë Ministri.

Dosja e Prokurorisë thotë se ai ka ndikuar tek Ministri i atëhershëm Pal Lekaj dhe zyrtarët e Ministrisë që persona të caktuar të kalojnë provimin teorik për patentë shoferë.

Tutje ai akuzohet se ka ndikuar edhe në një tender që një operator ekonomik të fitojë linjën e transportit, dhe një ndikim tjetër në përzgjedhjen e kandidatëve për ekzaminerë.

Periudha kohore e kryerjes së këtyre veprave penale sipas Prokurorisë dyshohet të jetë periudha 2016-2018.

Për këtë rast janë 19 dëshmitarë të cilët do të dëgjohen dhe në mesin e provave ka edhe raporte të përgjimeve.

Në mesin e dëshmitarëve është edhe Pal Lekaj, i cili do të dëgjohet lidhur me këtë rast.

Trupi gjykues që gjykon këtë rast përbëhet nga Fatime Dërmaku – kryetare, Kushtrim Shyti dhe Naser Foniqi – anëtarë.