Seanca e Kuvendit të Kosovës, 4 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Çka rregullon ligji për Identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike?

Me 66 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim Kuvendi ka miratuar ligjin për Identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike.

Identifikimi elektronik nënkupton procesin e përdorimit të dhënave identifikuese të personit në formë elektronike që në mënyrë unike përfaqësojnë një person fizik ose juridik ose një person fizik si përfaqësues të një personi juridik.

Në anën tjetër shërbim i besuar nënkupton shërbimin elektronik që zakonisht ofrohet me pagesë.

Ky ligj rregullon mënyrën e identifikimit dhe skemat e identifikimit elektronik, kushtet e përdorimit të nënshkrimit elektronik, vulës elektronike, vulës elektronike kohore dhe të pajisjeve për krijimin e tyre, shërbimet e regjistruara elektronike për procedurat gjyqësore, kushtet e lëshimit dhe përdorimit të certifikatave të kualifikuara për certifikimin e shërbimeve dhe autentifikimin e faqes së internetit; shërbimet e besuara në transaksionet elektronike dhe dokumentet elektronike.

Poashtu është paraparë rregullimi i shërbimeve të besuara në transaksionet elektronike dhe dokumentet elektronike.

Ligji në fjalë parashihet të zbatohet për skemat e identifikimit elektronik dhe për ofruesit e shërbimeve të besuara në transaksionet elektronike.

Ndërsa nuk do të zbatohet për verifikimin e vlefshmërisë së kontratave ose detyrimeve tjera ligjore, procedurale që janë të rregulluara me ligjet tjera në fuqi.

Procesi i identifikimit dhe autenifikimit elektronik është paraparë të iniciohet vetëm me kërkesë të personit juridik ose personit fizik që është subjekt i identifikimit.

Me qëllim të sigurimit të qasjes së sigurt, të besuar dhe pa ndërprerje në shërbimet publike dhe private, brenda dhe jashtë vendit, të gjithë personat fizik dhe juridik do të pajisen me Portofol të Identitetit Dixhital.

Në rastet kur një institucion publik ose privat, për një shërbim që e ofron në internet, kërkon identifikimin elektronik për t’u qasur në këtë shërbim, mund të shfrytëzoj mjetet e identifikimit elektronik të lëshuara në një Shtet Anëtar BE-së me qëllim autentifikimit ndërkufitar.

Po ashtu është paraparë edhe përgjegjësia për identifikim elektronik.

Kështu, ofruesi i shërbimit të identifikimit elektronik i cili lëshon mjetin e identifikimit elektronik është përgjegjës për dëmin e shkaktuar. Njëjtë është rregulluar edhe përgjegjësia për shërbimet e besuara elektronike.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e shërbimeve të besuara, Ministria njofton autoritetet kompetente të shteteve që janë të prekura nga rrezikimi i sigurisë ose humbja e integritetit në ofrimin e shërbimit të besuar ose në të dhënat personale.

Institucioni publik mund të bëhet ofrues i shërbimeve të besuara nëse i plotëson të gjitha kërkesat për ofrimin e shërbimeve të parapara me këtë ligj dhe me Rregulloren e vet të punës.

Një kapitull i këtij ligji ka rregulluar edhe nënshkrimin elektronik.

Nënshkrimi elektronik nënkupton grupin e të dhënave në formë elektronike, të cilat janë të bashkangjitura ose të lidhura logjikisht me të dhënat e tjera në formë elektronike dhe të cilat përdoren nga nënshkruesi për të nënshkrua.

Nënshkrimi elektronik është i vlefshëm dhe i pranueshëm dhe nuk i mohohet vlefshmëria ose pesha e provës vetëm se është në formë elektronike ose nuk i plotëson kërkesat për nënshkrim të kualifikuar elektronik.

Nënshkrimi elektronik i kualifikuar ka të njëjtin efekt ligjor si nënshkrimi i dorës.

Neni 34 ka parapare përjashtimet e përdorimit të nënshkrimit elektronik, e një ndër to është edhe në fushën e së drejtës familjare dhe të trashëgimisë, të cilat u nënshtrohen kërkesave të veçanta ligjor.

Vula elektronike

Vula elektronike nënkupton të dhënat në formë elektronike, të cilat janë të bashkëngjitura  ose të lidhura logjikisht me të dhëna e tjera në formë elektronike për të siguruar origjinën dhe integritetin e këtyre të dhënave.

Validimi i një nënshkrimi elektronik ose vule elektronike nënkupton procesin e verifikimit dhe konfirmimit të vlefshmërisë së të dhënave të përdorura për vërtetimin e vlefshmërisësë një nënshkrimi elektronik ose vule elektronike.

Dokumenti elektronik

Dokumenti elektronik nënkupton informacionin e ruajtur në formë elektronike i cili është i përbërë prej shkronjave, numrave, simboleve, grafikave, inçizimeve vizuale dhe audiovisuale.

Një dokumenti elektronik nuk i mohohet efekti juridik dhe pranueshmëria si provë në procedurat ligjore vetëm për arsyet se është në formë elektronike.

Dispozitat ndëshkuese

Ligji parasheh që zyrtari për inspektim për shkeljet e konstatuara me këtë ligj shqipton gjobë për kundërvajtje.