Foto: Denis Sllovinja

Kuvendi miraton projektligjin për Identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike

Me 66 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim Kuvendi ka miratuar Projektligjin për Identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike.

Duke prezantuar paraprakisht projektligjin, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, gjatë seancës së Kuvendit, tha se ai ka për qëllim rregullimin e mënyrës së identifikimit elektronik të personave juridik dhe fizik, të kushteve të përdorimit të nënshkrimit elektronik, të vulës elektronike, vulës elektronike kohore dhe të pajisjeve për krijimin e tyre.

Rizvanolli po ashtu tregoi edhe për lëshimin dhe përdorimin e certifikatave të kualifikuara, për certifikimin e shërbimeve dhe autentifikimin e faqeve të internetit, shërbimeve të besuara në transaksione elektronike dhe dokumentet elektronike.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thanë se do japin kontributin e tyre mes dy leximeve të projektligjit, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës kërkoi që ai të kthehet në Qeveri.

Kuvendi po vazhdon punimet me shqyrtimin e parë të Projektligjit për Tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme.