Burgim me kusht dhe gjobë ndaj katër të akuzuarve që pranuan fajësinë për dhënie ryshfeti

Katër të akuzuarit, Bajram Krasniqi, Ahmet Abazi, Sabri Spahiu dhe Dardan Isaj, janë gjetur fajtorë nga Gjykata e Prishtinës për akuzën për dhënie ryshfeti.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjyqtarja Valbona Musliu- Selimaj, në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës të martën më 18.06.2024.

Katër të akuzuarit janë dënuar nga Gjykata me nga gjashtë muaj burgim me kusht, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse në afat prej dy vitesh të  akuzuarit nuk kryejnë vepër të re penale, si dhe dënim me gjobë në shumën prej 1000 euro, secilit veç e veç.

Dënimin me gjobë të akuzuarit janë obliguar që ta paguajnë në afat prej 5 mujash pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Të akuzuarit në rast se dënimin me gjobë nuk mund ta paguajnë, dënimi do të ju zëvendësohet në dënim me burgim, duke ju llogaritur 20 euro për një ditë.

Gjithashtu të akuzuarit janë obliguar që t`i paguajnë edhe shpenzimet procedurale në shumë prej 50 euro për paushallin gjyqësor, dhe 100 euro për fondin e kompensimit të viktimave.

Kjo çështje penale ka marrë epilog pasi Prokuroria dhe të akuzuarit kanë arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.

Kjo marrëveshje është aprovuar nga Gjykata.

Sipas prokurorit special Naim Abazi, marrëveshja është arritur me vullnet të lirë të të akuzuarve dhe në prani të mbrojtësve të tyre, si  dhe i ka propozuar gjykatës që të njëjtën ta aprovojë.

Marrëveshjen e kanë mbështetur edhe avokatët e të akuzuarve Faik Halili, Nexhmedin Sejdiu, Visar Musa dhe Qëndrim Arifi dhe të njëjtit i propozuan gjykatës që kjo marrëveshje të aprovohet në tërësi.

Ndaj 4 të akuzuarve, Bajram Krasniqi, Ahmet Abazi, Sabri Spahiu dhe Dardan Isaj, Gjykata kishte veçuar procedurën penale për shkak të kësaj marrëveshjeje për pranimin e fajësisë.

 

Çfarë thotë dosja e prokurorisë?

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Naim Abazi të dorëzuar në Gjykatë më 13.02.2024, Prokuroria akuzon tetë zyrtarë doganorë dhe një zyrtar policor për marrje ryshfeti nga persona për t`iu shmangur mbikëqyrjes së rregullt doganore dhe kontrollit të rregullt kufitar.

Sipas aktakuzës voluminoze të prokurorisë, nga muaji shtator i vitit 2021 e deri në korrik të vitit 2022 në pikën kufitare Hani i Elezit të pandehurit Tomislav Dimiq, Mensur Stagova, Vladan Ljubiq, Verodrag Miletiq, Admir Sejdiu, Andrija Caviq, Mirko Jevtiq, si zyrtarë doganor dhe Arben Aliu si zyrtar policor në vazhdimësi kanë pranuar mjete monetare nga persona të ndryshëm.

Këto veprime të të akuzuarve nga Prokuroria po pretendohet të kenë ndodhur në vazhdimësi  dhe secili veçmas e me raste edhe në bashkëpunim, sipas aktakuzës kanë marrë ryshfet me qëllim që t`iu mundësohet kalimi i pikës kufitare pa iu nënshtruar kontrolleve të rregullta kufitare dhe atyre doganore.

Sipas prokurorisë këto veprime të të akuzuarve bien ndesh me detyrat e tyre zyrtare.

Prokuroria, Dardan Isajn, Sabri Spahiun, Ahmet Abazin, Bajram Krasniqin, i akuzon për veprën penale të dhënies së ryshfetit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Abazi akuzohet se më 21.09.2021 në pikën kufitare Hani i Elezit, në cilësinë e vozitësit të autobusit të kompanisë “Shero Tours”, derisa ishte duke iu kontrolluar autobusi nga i pandehuri tjetër zyrtari doganor Admir Sejdiu, i akuzuari për dhënie ryshfeti Ahmet Abazi afrohet afër zyrtarëve të tjerë doganor të cilët tashmë janë të akuzuar Verodrag Miletiq dhe Andrija Caviq, duke ju dhënë ryshfet një qese që brenda kishte mjaltë dhe 30 euro mjete monetare.

Kurse vozitësi i kamionit të tipit “Mercedes”, i ngarkuar për dhënie ryshfeti Bajram Krasniqi, akuzohet se i ka dhënë 10 euro zyrtarit policor i cili tashmë është i akuzuar – Arben Aliu me qëllim që t`i shmanget pritjeve kufitare dhe kontrolleve kufitare tek pika kufitare e “Hanit të Elezit” nga Republika e Maqedonisë së Veriut për në Kosovë.

Tutje Prokuroria për dhënie ryshfeti e ngarkon edhe Dardan Isajn pasi që sipas aktakuzës Isaj më 27.11.2021 në Terminalin Doganor në Mitrovicë si pronar i “D-Mobile Store”- Ferizaj, pasi kishte pagur mallin e sekuestruar nga Dogana dhe përmbushjes së detyrimeve doganore, i ka dhënë 200 euro ryshfet zyrtarit doganor Admir Sejdiu, pas kërkesës së këtij të fundit.

Aktakuza tutje thotë se Sabri Spahiu në cilësinë e shpediterit (i akuzuar për dhënie ryshfeti) më 26.11.2021 në terminalin doganor ZPD Interevropa në Prishtinë, bashkë me të pandehurin zyrtarin doganor Admir Sejdiu ishin dakorduar sa para t`i kërkojnë një pale të cilën Sejdiu ia kishte dërguar Spahiut. Këto veprime Spahiu i ka ndërmarrë para se t`i plotësonte dokumentacionet doganore për zhdoganimin e mallit për subjektet “D-Mobile” dhe “D-Mobile Store”.