Gjykata Themelore e Pejes - Foto: Atdhe Mulla.

Avokati i të akuzuarit për vrasjen e vëllait me bisht të sëpatës dorëzon në gjykatë ekspertizë të kryer në Shqipëri

Asllan Nikqi, i akuzuar për vrasjen e vëllait të tij ka dalë sot para gjykatës për t’u ballafaquar me aktakuzën e prokurorisë.

Sot në seancë gjyqësore gjykatësi Sami Sharraxhiu tha se mbrojtësi i të akuzuarit Nikqi, avokati Mustafë Kastrati i ka dorëzuar gjykatës një ekspertizë mjekoligjore të punuar në Shqipëri, duke kërkuar që e njëjta të administrohet si provë.

Prokurorja Valbona Disha Haxhosaj deklaroi se i nevojitet kohë për analizimin e së njëjtës, por paraprakisht kërkoi nga avokati të sqarojë se nga kush është punuar ekspertiza, a janë ekspertët e licencuar, dhe se çka u është dorëzuar atyre prej shkresave të lëndës për analizim.

Avokati Kastrati tha se ekspertiza është punuar nga profesorët e Universitetit Shtetëror të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë.

“Qe një vit jam duke kërkuar ekspertë në Kosovë dhe nuk kam hasur në një të tillë, sepse të gjithë ekspertët punojnë në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, tha Kastrati, duke arsyetuar faktin se pse është përpiluar ekspertiza në Shqipëri.

Ndërsa Kastrati tha se ekspertëve iu janë dorëzuar shkresat e lëndës që atij i janë dorëzuar nga prokuroria.

Në këto rrethana prokurorja tha se në afat të shkurtër kohor do të përgjigjet lidhur me këtë ekspertizë.

Seanca e radhës do të caktohet pas përgjigjes së prokurores.

Ky rast ka ndodhur më 26 prill të vitit 2019 në fshatin Rekë e Allagës në Rugovë të Pejës.

Sipas prokurorisë i akuzuari ka vrarë vëllanë e tij me bisht të sëpatës duke e goditur në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, ku pas aktit së bashku me të miturin A. N., largohen nga vendi i ngjarjes duke lënë viktimën në gjendje të rëndë shëndetësore.

Viktima si pasojë e goditjes në kokë është gjetur i vdekur pas dy ditësh në largësi 1200 metra në vijë ajrore nga vendi ku ka filluar përleshja fizike.

Sipas dosjes së prokurorisë rasti ka ndodhur për shkak të raporteve jo të mira familjare lidhur me kontestin pronësor për pronë-mal.

Ndërsa i pandehuri A. N. që është i biri i të akuzuarit Asllan Nikqi, po akuzohet për vepër penale të pjesëmarrjes në rrahje.

Gjykata e Pejës e kishte shpallur fajtor Asllan Nikqin, duke e dënuar me 15 vite burgim.

Ndërsa të miturit A. N. për vepër penale pjesëmarrje në rrahje i ishte shqiptuar masa edukative mbikëqyrja e shtuar nga ana e prindit, prindit adoptues ose kujdestarit në kohëzgjatje prej 1 viti.

Por rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.