Akuzohet se iu bashkua ISIS-it bashkë me familje, deklarohet për fajësinë

Gjykata e Prishtinës, mbajti seancë fillestare ndaj Hysri Selimit, i cili po akuzohet nga prokuroria për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues se si ndihet për akuzat që e rëndojnë, i akuzuari Selimi deklaroi se ndihet i pafajshëm për ato akuza që i vihen barrë.

“Deklarohem plotësisht i pafajshëm” – tha Hysri Selimi.

Akuza e përfaqësuar nga prokurori Afrim Shefiku, po i vë në barrë të akuzuarit veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grup terrorist.

Sipas kësaj aktakuzë, i akuzuari më datë 23.11.2015 me përgatitje paraprake së bashku me familjen ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës me destinacion Sirinë, për të ju bashkëngjitur ISIS-it.

Sipas prokurorisë, i njëjti në këtë organizatë terroriste ka qenë i angazhuar në Byronë e ushtarëve të plagosur, dhe për këtë funksion është financuar nga ISIS me shumën e të hollave prej 100 USD në muaj.

Sipas aktakuzës, i njëjti është riatdhesuar në Kosovë më datë 28.05.2022.