Arkiv - Gjykata Themelore e Pejës

Akuzohet se fshiu mbi 18 mijë euro borxhe, zyrtari i Komunës së Pejës deklarohet për fajësinë

Haki Kartallozi, zyrtar i komunës së Pejës, i akuzuar nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare, fshirjen e borxheve mbi 18 mijë euro, është ulur sot në bankën e të akuzuarit.

“I pafajshëm”, u deklarua Kartallozi për akuzën që i vitet në barrë.

Kartallozi në vitin 2019 ishte dënuar nga Gjykata në Pejë me 6 muaj burg dhe ishte njoftuar për mundësinë ligjore, që dënimi me burgim  t’i zëvendësohej me gjobë në shumë prej 5000 euro.

Ky vendim i gjykatës megjithatë u anulua nga Gjykata e Apelit pas ankesës së mbrojtësit së të akuzuarit Kartallozi, avokatit Gëzim Kollqaku.

Kartallozi akuzohet se si zyrtar komunal ka hyrë në sistemin kompjuterik të kolegëve të tij, me qëllim që t’i shlyejë obligimet tatimore të tatimpaguesve në Komunën e Pejës.

Sot në seancë gjyqësore palët në procedurë dhanë fjalën hyrëse.

Prokurori Haxhi Sinanaj tha se në këtë shqyrtim gjyqësor me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve do të vërtetohet se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën e ngarkon prokuroria.

Ndërsa avokati Gëzim Kollqaku tha se në këtë rigjykim do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.

Sipas aktakuzës Kartallozi, prej 14.07.2016 në mënyrë të vazhdueshme deri me 15.10.2016, duke pasur qasje në sistemin e digjitalizuar, arrin të futet në sistemin kompjuterik të dëshmitares M. L., duke shlyer obligimet tatimore të dëshmitarit B. G. dhe disa tatimpaguesve të tjerë.

Dosja e Prokurorisë sqaron se me këto veprime Kartallozi i ka shkaktuar dëme Komunës së Pejës në vlerë mbi 18 mijë euro.