Foto: KALLXO.com

9 vjet e 4 muaj burg për grabitjen në pompë të benzinës në Ferizaj

Tre persona kanë marrë të hënën nëntë vjet e katër muaj burg pasi gjykata në Ferizaj i gjeti fajtorë për një grabitje në një pompë të derivateve që kishte ndodhur në prill ë këtij viti.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetari Mustaf Tahiri, dhe anëtarët Hakile Ilazi dhe Habib Zeqiri, shpallen vendimin me të cilin G.D. u dënua me 3 vite e 4 muaj burgim dhe 500 euro gjobë, i akuzuari R.H, u dënua me 3 vite burgim dhe gjobë 400 euro, si dhe i akuzuari Ç.D. me 3 vite burgim dhe 400 euro gjobë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se më 14.4.2019, rreth orës 3:00, në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, saktësisht në pikën e derivateve ‘’IT Petrol”, së bashku me dy të mitur kanë kryer grabitjen në këtë pikë derivatesh.

Prokuroria pretendon se paraprakisht të njëjtit janë marrë vesh për kryerjen e veprës penale, ku janë takuar në fshatin B., dhe të gjithë me veturën ‘’Audi A6’’ janë nisur në drejtim të Ferizajt.

Me të arritur te pika e derivateve “IT Petrol” dy të akuzuarit G.D. dhe R.H., si dhe i mituri . të maskuar dhe nën kërcënim të thikave, kanë hyrë në marketin e kësaj pike derivatesh ku nga kasaforta kanë arritur të grabisin shumën e të hollave në vlerë 740 euro dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me veturën të cilën e ngiste i mituri.

Të hollat, sipas Prokurorisë, i kanë ndarë ndërmjet vete dhe maskat e fytyrës i kanë djegur.

Kryetari i trupit gjykues theksoi se vendimi u bazua në rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Si rrethanë lehtësuese gjykata mori moshën e re të kryesve, të kaluarën e tyre pasi që më herët nuk kanë kryer vepër penale, si dhe faktin se të pandehurit i kanë pranuar veprimet e tyre por jo veprën, ndërsa si rrethanë rënduese është llogaritur mënyra e kryerjes së veprës.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast.

Mbrojtja propozon ekspertizë të psikologut për të akuzuarit për grabitje në pompën e derivateve