Foto: KALLXO.com

Mbrojtja propozon ekspertizë të psikologut për të akuzuarit për grabitje në pompën e derivateve

Avokatët Admir Salihu, Xhemajl Ahmeti dhe Xhavit Topalli, të cilët mbrojnë të akuzuarit për grabitje G.D., R.H. dhe Ç.D., kanë kërkuar sot në Gjykata e Ferizajt të caktohet një ekspert psikolog për të dhënë mendimin e tij për të mbrojturit e tyre, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale ishin madhorë të rinj, nën 21-vjeç.

Mbrojtësit nga trupi gjykues, i përbërë nga Mustaf Tahiri kryetar dhe Habib Zeqiri dhe Hakile Ilazi anëtarë, propozuan që të akuzuarit të mund të gjykohen me Kodin e Drejtësisë për të Mitur.

Prokurori i shtetit Burim Qerkini nuk e kundërshtoi një propozim të tillë dhe u pajtua që të bëhet kjo ekspertizë.

Trupi gjykues pas këshillimit dhe votimit vendosi të aprovojë propozimin e avokatëve mbrojtës.

Mbrojtësit e të akuzuarve gjithashtu propozuan që të ndërpritet masa e paraburgimit dhe e njëjta të zëvendësohet me arrest shtëpiak por trupi gjykues vlerësoi se nuk ka arsye për ndërprerjen e paraburgimit dhe se kjo masë është e nevojshme.

Po ashtu, trupi gjykues seancën e sotme e shtyu për një datë tjetër.

Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se më 14.4.2019, rreth orës 3:00, në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, saktësisht në pikën e derivateve ‘’IT Petrol”, së bashku me dy të mitur D.M.  dhe A.T. kanë kryer grabitjen në këtë pikë derivatesh.

Prokuroria pretendon se paraprakisht të njëjtit janë marrë vesh për kryerjen e veprës penale, ku janë takuar në fshatin B., dhe të gjithë me veturën ‘’Audi A6’’ janë nisur në drejtim të Ferizajt.

Me të arritur te pika e derivateve “IT Petrol” dy të akuzuarit G.D. dhe R.H., si dhe i mituri A.T., të maskuar dhe nën kërcënim të thikave, kanë hyrë në marketin e kësaj pike derivatesh ku nga kasaforta kanë arritur të grabisin shumën e të hollave në vlerë 740 euro dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me veturën të cilën e ngiste i mituri D.M.

Të hollat, sipas Prokurorisë, i kanë ndarë ndërmjet vete dhe maskat e fytyrës i kanë djegur.

Me këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të grabitjes.