Foto: KALLXO.com

Zyra për Mbrojtjen e Viktimave funksionon vetëm me 25 zyrtarë

25 zyrtarë apo mbrojtës të viktimave funksionojnë në të gjithë Kosovën. Kështu konfirmoi në emisionin e sotëm “Kallxo Përnime” menaxheri i Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave, Basri Kastrati.

Ai shtoi se nuk ka ndonjë shpresë që të rritet numri pavarësisht kërkesës.

“Përkundër kërkesave buxhetore për shtimin e stafit, ju e dini se sivjet nga ministria është zvogëluar buxheti për gjykata dhe prokurori dhe nuk ka shpresë që do të kemi rritje të numrit të mbrojtësve të viktimave”, tha Kastrati.

Roli i mbrojtësve të viktimave është të mbrojë të drejtat e viktimave të krimit dhe t’u ofrojë të njëjtëve këshillim dhe përkrahje.

Zyra për Mbrojtjen e Viktimave ndihmon dhe përfaqëson viktimat e dhunës në familje, trafikimit me qenie njerëzore, abuzimet, keqtrajtimet e fëmijëve, dhunimet, vrasjet, si dhe viktima të tjera të krimit, përfaqëson, viktimat në polici, prokurori dhe gjykata.

Në emisionin e sotëm u diskutua përgjegjësia institucionale në raste e dhunës në familje disa prej të cilave kanë përfunduar në mënyrë tragjike.

Një hulumtim i KALLXO.com zbardhi se si Mbrojtja e Viktimave u njoftua përmes emailit nga Policia për rastin e dhunës në familje ndaj Lirije Qerimajt, e cila u vra më 5 janar.

Vetë mbrojtësja e viktimave, Hatixhe Latifi, kishte treguar për KALLXO.com se nga zyrtarët policorë kishte kërkuar që dosjen t’ia dërgonin përmes emailit deri sa tregonte se kishte sugjeruar zyrtarët policorë që për urdhër mbrojtje ta njoftonin koordinatorin regjional të dhunës në familje.

Kjo pasi që këtë urdhër mbrojtje emergjent mund ta lëshojë edhe Policia në raste emergjente dhe kohë festash deri sa të bëhej kërkesë në gjykatë nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave.

Në ditën kur Lirije Qerimaj kishte kërkuar urdhër mbrojtje ishte ditë e shtunë, për shkak të festave të fillim vitit festat zyrtare u bartën në ditën e hënë dhe e martë ndërsa një kërkesë për urdhër mbrojtje u la të ushtrohej tek të mërkurën katër ditë pas raportimit për dhunë në familje.

Në emisionin e sotëm “Kallxo Përnime” u zbardhën edhe detaje të reja në lidhje me trajtimin e rastit të dhunës në familje që ishte raportuar më 1 janar.

Zyra për Mbrojtjen e Viktimave është njoftuar katër orë më vonë për rastin e hapur si dhunë në familje të cilin e kishte raportuar djali i Lirije Qerimajt.

“Mbrojtësja e viktimave ka qenë në kujdestari edhe policia e ka lajmëru, i kam dëshmitë, e ka lajmëru përmes telefonit diku 19:07 masi është liru viktima, e ka lajmëru përmes telefonit që kemi pasë një rast të tillë ka kërku urdhër mbrojtës”, tregon menaxheri i Mbrojtjes së Viktimave Basri Kastrati.

Kastrati shpjegoi se rasti në Polici ishte kryer në ora 15:15 ndërsa zyrtarja Hatixhe Latifi është njoftuar nga Policia për të njëjtin rast në ora 19:07.

“Nuk është normale, po atë kohë është informu”, thotë Kastrati.

Ramadan Ahmeti nga Policia e Kosovës thotë se kjo nuk është mirë por duhet të trajtohet nga institucionet.

“Absolutisht nuk është normale dhe nuk është mirë, me siguri që është ndonjë lëshim, sepse e di që janë njoftu në interval kohor kronologjik të shpejtë nëse është kjo kohë i mbetet institucioneve të tjera”, arsyetohet Ahmeti.

Kastrati shpjegon si ka vepruar Hatixhe Latifi.

“Zyrtarja jonë e ka sugjeru policen që e ka intervistu viktimën, e ka njoftu në telefon i ka thënë nëse është me rrezik ju duhet të thirrni koordinatoren nga radhët e policisë që të lëshojë urdhër mbrojtjen emergjente në kohë festash zyrtare dhe gjatë punës ku nuk punon gjykata dhe prokuroria”, tha Kastrati.

Labinot Leposhtica nga Zyra Ligjore në Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) tregoi gjetjet e KALLXO.com gjatë raportimit të këtij rasti tragjik që kishte ndodhur në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Gruaja ishte marrë në pyetje nga Policia në Skenderaj katër ditë para se të vritej. Rastin fillimisht e kishte lajmëruar djali i saj, i cili kishte thënë se nëna e tij Lirija, kishte pasur dhunë psikike nga babai i tij, pra nga bashkëshorti i viktimës Skender Qerimaj.

Gjatë dhënies së deklaratës para Policisë, Lirije Qerimaj kishte kërkuar dhe urdhër mbrojtje.

“Krejt hallka institucionale nuk ka funksionu, nuk dua ta ekzagjeroj por që nga dita kur është raportuar janë bërë të qarta indikacionet, është bërë e qartë dhuna paraprake e ushtruar nga bashkëshorti, qoftë psikike qoftë fizike që e ka pranu edhe burri, janë plotësuar elementet e një dhune sistematike, viktima ka kërku mbrojtje dhe nuk i është ofru edhe si shfajësim përmenden festat zyrtare dhe zhvendosja e festave në të hënën e të martën është vendos që të pritet pesë ditë për me ia ofru urdhin e mbrojtjes një grua të cilën e ka kërku”, tha Leposhtica.

Leposhtica shtoi se të dyshuarit në këtë rast, burrit të Lirije Qerimajt, Skender Qerimajt, i është dhënë hapësirë të kryejë vrasjen tragjike të gruas së tij.

Kjo pasi që Skender Qerimaj ishte intervistuar nga organet e rendit dhe për të njëjtën çështje ishte njoftuar edhe prokurorja kujdestare Stojanka Kosaloviq. Kjo e fundit kishte urdhëruar policinë që të njëjtin ta liroj në procedurë të rregullt ndërsa rasti ishte cilësuar si dhunë në familje.