Bastisja në zyret e OVLUÇK. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk tregon arsyet e arrestimit të kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati

Gjatë ditës së sotme pjesëtarë të EULEX-it kanë arrestuar kryetarin e OVL-UÇK-së në Prishtinë, Hysni Gucatin.

Sipas avokatit Tomë Gashi, arrestimi ka ndodhur pasi që Gucati dyshohet se ka ndërhyrë në hetim si dhe ka shpërndarë dosjet të cilat pretendohen se janë të Gjykatës së Hagës e të cilat janë dërguar në zyret e OVL-UÇK-së disa ditë më parë.

Ani pse gjatë ditës së sotme Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka dhënë ndonjë koment për KALLXO.com në lidhje me bastisjet në zyrat e OVL- UÇK-së, zëdhënësi i Prokurorit të Specializuar Christopher Bennett, ka dhënë detaje për arrestimin e Gucatit.

“Hysni Gucati u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”, ka thënë Bennett në një njoftim për media.

Ai në njoftim ka thënë se sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës.

“Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit Dhomat e Specializuara kanë lëshuar fletarrestim, merret në ndalim. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në, në pajtim me mandatin e vet dhe me legjislacionin e Kosovës. Edhe Policia e Kosovës (PK) dha mbështetje operative për ZPS-në”, thuhet tutje në njoftim.

Gjithashtu Bennett në njoftim ka thënë se për detaje të tjera do të njoftohen mediat me kohë.

Gjatë ditës së sotme në një aksion mbi 10 orësh, ka përfunduar bastisja e pjesëtarëve të EULEX-it në zyrat e OVL-UÇK-së.

Përveç Gucatit gjatë ditës së sotme është bërë edhe arrestimi i nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj.

Përfundon bastisja në OVL të UÇK-së, EULEX largohet me shumë dosje të konfiskuara – PAMJE

.