Zyra e Prokurorit të Shtetit reagon pas kanosjes së prokurorit Naim Abazi, ky i fundit nuk flet

Prokurori i Prokurorisë Speciale Naim Abazi, është kërcënuar gjatë ditës së djeshme brenda objektit të kësaj prokurorie nga një qytetar.

Në lidhje me këtë rast, ka reaguar Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, duke thënë se kjo kanosje ka ardhur si rrjedhojë e veprimeve të ndërmarra nga ai gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare si prokuror.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin se kanosja ndaj prokurorit Abazi është duke u trajtuar me prioritet dhe seriozitet të lartë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në mënyrë që kërcënuesi sa më parë ta marrë dënimin e merituar”, thuhet në reagim.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit qëndron afër të gjithë prokurorëve duke iu ofruar mbështetjen e plotë për punën dhe përkushtimin e tyre në ushtrimin e funksionit kushtetues dhe ligjor në hetimin dhe ndjekjen e të gjithë kryeseve të veprave penale, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, siguron opinionin dhe qytetarët se kërcënimet ndaj prokurorëve nuk do t’i zmbrapsin asnjë hap dhe në asnjë mënyrë përpjekjet tona të vazhdueshme për forcimin e shtetit ligjor”, thuhet në reagim.

Siç mëson KALLXO.com prokurori special e ka raportuar kërcënimin, ndërsa personi i dyshuar është ndërguar në ndalim për 48 orë.

Tutje KALLXO.com mëson se qytetari kishte pasur një rast në po të njëjtën prokurori, ndërsa në një njoftim për media nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë nuk janë dhënë detaje se cilat ishin arsyet që e dërguan H.M., deri te kërcënimi i prokurorit Abazi.

Gjatë ditës së sotme Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se një person është ndaluar për 48 orë për veprën penale kanosje.

“Personi i lartcekur, është dërguar në mbajtje, pasi i njëjti dyshohet se ka kanosur një prokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, brenda objektit të këtij institucioni”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com ka tentuar të marr edhe një sqarim nga ana e vetë prokurorit Abazi, por i njëjti nuk ka pranuar të flas.