Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, Foto: Valon Fana, KALLXO.com.

ZKA: Në Telekom 64 pozita mbulohen me Ushtrues Detyre përtej afatit të lejuar

64 pozita brenda Telekomit të Kosovës janë mbuluar me ushtrues detyre në periudhë me të gjatë se gjashtë muaj, që është përtej afateve ligjore.

Kjo është bërë e ditur në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, e cila ka audituar këtë kompani për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2021.

Sipas ZKA-së një praktikë e tillë mund të ndikoj keq në punën dhe organizimin e Telekomit të Kosovës sepse rrezikon që pozitat që menaxhohen nga personat që nuk i përmbushin kriteret e nevojshme në mungesë të konkurrencës së hapur.

“Bazuar në “Politikat e rekrutimit dhe seleksionimit” me nr.01-1176/16 i datës 25.03.2016. Neni 5. Nominimet, Pika 5.3 Caktimi si ushtrues detyre deri në plotësimin e pozitës nuk mund të zgjatë më shumë se 6 muaj…Ky emërim është bërë për pozitat vakante sipas nevojave emergjente dhe të domosdoshme të kompanisë, me që ka qenë e pa mundur të hapen konkurse të rregullta, për shkak të natyrës urgjente. Praktika e mbulimit të pozitave kyçe me U.D për periudha të gjata kohore, përveç se nuk është në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, rrezikon që pozitat të menaxhohen nga personat që nuk i përmbushin kriteret e nevojshme në mungesë të konkurrencës së hapur”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Ndërsa rastet e identifikuara janë: U.D Teknik specialist për montim/demontim dhe mirëmbajtje janë tetë zyrtarë; U.D Menaxher Regjional janë tre zyrtarë; U.D Udhëheqës i Trajnimeve;  U.D Udhëheqës i Trajnimeve; U.D Koordinator për çështje ligjore;  U.D Mbikqyrës i Riskut; •U.D Menaxher i Kontabilitetit, Tatimeve dhe U.D Udhëheqës i Trajnimeve janë me dy zyrtarë dhe; 61 pozita të tjera.

KËTU mund të lexoni raportin e plotë të ZKA për Telekomin e Kosovës.