ZKA gjen mangësi në menaxhimin e lokaleve afariste nga Ndërmarrja Publike Banesore

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka gjetur mangësi në menaxhimin e lokaleve afariste të cilat menaxhohen nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB).

NPB është ndërmarrje publike lokale në pronësi të Komunës së Prishtinës dhe në Raportin e Auditimit për vitin 2023, ZKA ka gjetur se në të paktën 23 raste, kontratat për shfrytëzimin e pronave komerciale kanë qenë të skaduara nga viti 2015 deri në vitin 2022.

“Lokalet vazhdojnë të shfrytëzojnë nga qiramarrësit e njëjtë dhe ndërmarrja i faturon edhe pse ishin të skaduara [kontratat]” – thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, mos azhurnimi i kontratave ka ndodhur për shkak të mungesë së veprimeve nga ndërmarrja ndër vite, për të nënshkruar kontrata me shfrytëzyesit për pronat komerciale.

Auditori ka thënë se shfrytëzimi i pronave të ndërmarrjes me kontrata të skaduara apo pa to, mund të privojë ndërmarrjen nga e drejta për arkëtimin e të hyrave si dhe në raste të mos arkëtimit të borxheve me kohë, mund të ndikojë në proceset gjyqësore.

Me këtë gjetje të ZKA-së, Ndërmarrja Publike Banesore është pajtuar.

Raportin e plotë të auditimit për NPB-në për vitin 2023 mund ta gjeni KËTU.