Skenë nga filmi 'Zgjoi'. Foto: QKK.

Zgjoi, rrëfimi jetësor i Fahrije Hotit nuk nominohet për OSCAR

Filmi “Zgjoi” nuk arriti të nominohet në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar të metrazhit të gjatë në Akademinë Prestigjioze të Filmit, OSCARS 2022.

Rrëfimi jetësor i Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe në Rahovec që shpërfaq dhimbjen dhe shpresën për burrin e saj të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë dhe sfidat e saj për t’u bërë një grua e pavarur financiarisht në një shoqëri patriarkale.

Përmes filmit tregohet sakrifica e Fahrijes e cila nis një biznes agrikultural me gratë e Krushës së Madhe, rrugëtim gjatë të cilit ajo ndeshet me paragjykime.

Me regji të Blerta Bashollit dhe portetizimit të rolit kryesor të Fahrije Hotit nga aktorja Yllka Gashi, Hive, nuk arriti të nominohet për ndarjen e çmimeve prestigjioze më 27 Mars në Los Angeles.

KALLXO.com ka përcjellur direkt ceremoninë e nominimit, rezultatet e të cilit janë pritur nga ekipi i filmit me një ceremoni në Prishtinë.

Filmi “Zgjoi” i Blerta Bashollit bëri histori për herë të parë kur u shfaq në Festivalin e Filmit Sundance në vitin 2021 dhe u bë filmi i parë që fitoi tri çmimet më të mira në Konkursin Botëror të Kinemasë Dramatike: Çmimin e Madh të Jurisë, Çmimin e Regjisë dhe Çmimin e Publikut.

Një vit më vonë, “Zgjoi” u bë filmi i parë nga vendi më i ri i Evropës që hyn në listën e ngushtë prej 15 filmash që konkurrojnë për këtë çmim.

Filmit i është konfirmuar se do të shfaqet në 18 kinema në Australi dhe gjashtë të tjera në Zelandë të Re. 

Dhjetorin e kaluar, Elisabeth Moss dhe Lindsey McManus u bashkëngjitën si producente ekzekutive me kompaninë e tyre “Love & Squalor Pictures”, duke i dhënë atij një shtysë vendimtare në fushatën e tij për Oscar.

Zgjoi ka fituar çmime në Varshavë, Hamburg, Montpellier, Berkshire, Osnabrück, Herceg Novi, Prishtinë dhe Cinedays Shkup, ndërkohë që Yllka Gashi fitoi çmimet e aktores më të mirë në Valladolid dhe Scottsdale.

Website amerikan, “Rotten Tomatoes” e kishte renditur filmin “Zgjoi” në mesin e filmave më të mirë të viti 2021.

Sipas “Tomatometrit” (sondazhit) Zgjoi është renditur si i 11-i në listën e filmave më të mirë.

Zgjoi nuk arriti të bëhet filmi i dytë nga Kosova i nominuar ndonjëherë për OSCAR. Në vitin 2016, filmi kosovaro-britanik Shok, me aktorë kosovarë dhe regjisor britanikun Jamie Donoughue, u nominua për OSCAR.