Zgjerimi i bllokut europian, ambasadori i BE-së flet për shtetet që do të marrin statusin e vendit kandidat
Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë Tomas Szunyog, tha se BE-ja është në prag të vendimeve shumë të rëndësishme për zgjerimin.
I pyetur se kur pritet që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ambasadori ka thënë se për këtë duhet të vendosin unanimisht shtetet anëtare të BE-së.
“Nëse shikoni traktatin për Bashkimin Europian, është shumë e qartë që thotë se këto vendime merren nga vendet anëtare të BE-së me unanimitet. Ju duhet të keni 27 vende anëtare që bien dakord për të dhënë statusin e vendit kandidat”- tha ai në një intervistë për “Kallxo Përnime”.
Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, deklaroi se do të nxjerrin pakon vjetore të zgjerimit pas disa javësh.
“Kjo do të jetë shumë e rëndësishme, sepse për herë të parë, kjo do të ndryshonte gjithashtu konfigurimin e zgjerimit në një kuptim që ne vendosëm t’i japim Ukrainës statusin e vendit kandidat së bashku me Moldavinë, dhe ekziston një kandidat tjetër i mundshëm e që është Gjeorgjia. Tani kemi një pako ndryshe nga më parë”- deklaroi shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.
Ambasadori ka shtuar gjithashtu se brenda BE-së është një diskutim serioz edhe për pasojat financiare të vendeve anëtare.
Ne po flasim përsëri seriozisht për kapacitetin absorbues, që është mënyra se si BE-ja është në gjendje të trajtojë anëtarët e rinj. Kemi një diskutim të rëndësishëm edhe për pasojat financiare dhe kjo është vërtet e rëndësishme. Brenda disa javësh, ne gjithashtu do të kemi, një plan të ri të zgjerimit, i cili është një program që do të hartohet për të ndihmuar kandidatët dhe kandidatët potencialë që të bëhen gati për zgjerimin” – ka shtuar ai.