Zgjedhjet në veri, rregullorja e BQK-së dhe masat ndaj Kosovës, temat që Osmani i diskutoi në takim me ambasadorët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar takim me shefin e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot,  ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu dhe zv.ambasadorin e Gjermanisë, Mathias Conrad, me të cilët ka folur për temat aktuale në Kosovës, si zgjedhjet në katër komunat në veri, rregulloren e BQK-së për dinarin dhe masat e BE-së ndaj Kosovës.

Sipas një komunikate për media, në këtë takim të mbajtur më 21.02.2024 është diskutuar në lidhje me përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit, në përputhje me legjislacionin në fuqi

“Presidentja ritheksoi se e drejta për të kërkuar largimin e kryetarëve nëpërmjet nënshkrimeve është e drejtë që u takon qytetarëve dhe se tani pret që në KQZ të kryhen të gjitha procedurat e nevojshme në përputhje me ligjin dhe udhëzimin administrativ në fuqi”- thuhet në komunikatë.

Në takim me ambasadorët, presidentja ka theksuar nevojën e menjëhershme të heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat sipas saj “janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog, si dhe njëkohësisht theksoi se Kosova ka ndërmarr hapa konkret në përputhje me planin e dakorduar për këtë çështje”.

Heqja e masave, siç është shprehur Osmani, do të krijonte atmosferë shumë më pozitive për vazhdimin e dialogut parimor ku të dyja palët do të trajtoheshin të barabarta.

“Për më tepër, gjatë takimit ajo ritheksoi se për fat të keq Serbia nuk po përballet me përgjegjësi për nxitjen e sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it në maj e as për sulmin e agresionit kundër Kosovës në shtator të vitit të kaluar. Kjo situatë, sipas saj, mund ta nxisë Serbinë që t`i shtojë veprimet destabilizuese në rajon”- bëhet e ditur në komunikatë të ketë thënë Osmani.

Një pjesë e takimit, sipas njoftimit të Presidencës iu kushtua edhe çështjes së zbatimit të Rregullores së BQK-së.

Në lidhje me këtë çështje, Osmani ka ritheksuar se është me rëndësi që nuk po kërkohet që kjo rregullore të shfuqizohet, por thjesht që të punohet në një plan tranzicioni për zbatim të saj e cila merr parasysh edhe shqetësimet e të gjithë qytetarëve që mund të afektohen nga një vendim i tillë.

“Duke ritheksuar rëndësinë e zbatimit të Kushtetutës në çdo cep të Kosovës, Presidentja ka shtuar se suksesi në këtë drejtim është i lidhur edhe me nivelin e bashkëpunimit me aleatët tanë të cilët kanë qenë gjithnjë mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë, sovranitetit dhe sigurisë së shtetit tonë”-thuhet mes tjerash në kumtesë.

Ndryshe më 01.02.2024, hyri në fuqi rregullorja e BQK-së, e cila përcakton se Euroja është valuta e vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë dhe për transaksionet e pagesave.

Me këtë rregullore është ndaluar edhe dinari serb, i cili deri më tash ka qarkulluar në mjediset me shumicë serbe në Kosovë, sepse qytetarët serbë, në këtë valutë, kanë pranuar pagesa të ndryshme nga buxheti i Serbisë: rroga, pensione, ndihmë sociale, shtesa për fëmijë e të tjera.

Kundër vendimit të BQK-së ka dalë SHBA-ja, ambasadori i së cilës në Kosovë Jeff Hovenier ka kërkuar që zbatimi i rregullores të shtyhet.

Në anën tjetër, qytetarët e 4 komunave në veri përmes nënshkrimeve të tyre po kërkojnë që të shkarkohen katër kryetarët e komunave, të cilët janë shqiptarë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar numrin e nënshkrimeve që duhet për të iniciuar shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Sipas këtyre të dhënave, në Mitrovicë e Veriut duhen 3 mijë e 640 nënshkrime, në Leposaviq 2 mijë e 689, në Zubin Potok 1 mijë e 347 dhe në Zveçan duhen 1 mijë e 411 nënshkrime.

Erden Atiq nga Mitrovica e Veriut, Lulzim Hetemi nga Leposaviqi, Izmir Zeqiri nga Zubin Potoku dhe Ilir Peci nga Zveçani, fituan zgjedhjet e mbajtura më 23.04.2023.

Proceset e betimit të Pecit, Hetemit e Zeqirit u përcollën me protesta dhe tensione.

Në lidhje me këtë situatë, më 28.06.2023, Bashkimi Europian ka aplikuar sanksione ndaj Kosovës në lidhje me “situatën e krijuar në veri dhe vendimin e autoriteteve për të mos u koordinuar me partnerët europianë për uljen e tensioneve”.