Zgjedhjet në Turqi: Më shumë se thjesht një ndryshim i qeverisë

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan e ka udhëhequr Turqinë për më shumë se 20 vjet. Për herë të parë, ai nuk është favorit për t’i fituar zgjedhjet. Kush janë rivalët e tij, çfarë aleancash elektorale ka dhe sa e drejtë është fushata elektorale?

Më 14 maj, Turqia do ta zgjedhë një parlament të ri dhe një president të ri. Dhe pas 20 vjetësh në pushtet, presidenti aktual, Rexhep Tajip Erdogan, nuk është favoriti i qartë. Sondazhet thonë gjithashtu se aleanca e tij elektorale mbetet prapa asaj të opozitës.

Cili është sistemi politik i Turqisë?

Sipas kushtetutës së saj, Republika turke u themelua në vitin 1923 si një demokraci parlamentare. Erdogan, megjithatë, ishte i prirur ta ndryshonte këtë – dhe në vitin 2017, partia e tij qeverisëse AKP e amendamentoi kushtetutën me mbështetjen e partnerit të saj ultra-nacionalist, MHP.

Ata prezantuan një sistem presidencial ekzekutiv me zgjedhjet e vitit 2018. Që atëherë, presidenti jo vetëm që ka qenë udhëheqësi i shtetit, por njëkohësisht edhe e drejton edhe qeverinë. Ështëlarguar fare  zyra e kryeministrit.

Presidenti zgjidhet drejtpërdrejt nga populli për një mandat pesë-vjeçar dhe sipas sistemit të ri, ai ka kompetenca të gjera. Presidenti emëron dhe shkarkon ministrat dhe nëpunësit e lartë civilë sipas gjykimit të tij, si dhe e kryeson edhe kabinetin.

Ministrat e emëruar prej tij, nga ana tjetër, mund t’i emërojnë guvernatorët dhe përfaqësuesit e shtetit në provinca dhe rrethe administrative, gjë që i lejon presidentit ta ushtrojë ndikimin e tij deri në qeverisjen vendore.

Udhëhqësi i shtetit ka gjithashtu fuqinë për të nxjerrë dekrete presidenciale dhe për të plotësuar shumë poste në gjyqësor, si dhe në departamente të veçanta si financa apo arsimi. Zyrat më të rëndësishme të shërbimit sekret dhe autoriteti i fuqishëm fetar Diyanet gjithashtu i raportojnë drejtpërdrejt presidentit.

Për më tepër, kërkesa për mospartizim u hoq me futjen e sistemit presidencial. Kjo do të thotë se, si president, Erdogan ka qenë në gjendje të vazhdojë si kryetar i partisë së tij konservatore islamike në pushtet, AKP. Tani ka shumë pak mundësi për ndarjen e pushteteve.

Kush kandidon për president?

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2023 konkurrojnë katër kandidatë. Megjithatë, është presidenti aktual, Erdogan, dhe sfiduesi i tij kryesor, Kemal Kilicdaroglu, kandidati i aleancës më të madhe të opozitës, ata që do të garojnë në një garë të ngushtë. Shumë sondazhe e vendosin Kilicdaroglu në krye, duke e bërë Erdoganin dhe kampin qeveritar gjithnjë e më nervoz.

Vlerësimet e miratimit të dy kandidatëve të tjerë lëvizin midis 2-6%. Kandidaturat e tyre ka më shumë gjasa të nënkuptojnë se fituesi presidencial do të vendoset vetëm pas balotazhit, në një raund të dytë votimi.

A ka peshë parlamenti?

Gjatë kohës së tij në detyrë, Erdogan e ka përshtatur aparatin shtetëror për qëllimet e tij duke i zgjeruar vazhdimisht kompetencat e tij.

Edhe pse numri i delegatëve është rritur nga 550 në 600 kur u prezantua sistemi presidencial, Erdogan e ka ulur rëndësinë e parlamentit turk në të parëndësishëm. Parlamenti ende mund të debatojë dhe të miratojë ligje, mirëpo kampi qeveritar, me shumicën e tij mbizotëruese, e ka bllokuar çdo projekt opozitar në parlament dhe thjesht e ka imponuar axhendën e tij politike.

Qeveria ka përdorur gjithashtu shumicën e saj për t’i penguar kërkesat e opozitës, të tilla si ngritja e komisioneve hetimore në përgjigje të fatkeqësive të mëdha ose akuzave për korrupsion. Në shumicën e rasteve, qeveria nuk i është përgjigjur as pyetjeve të opozitës.

Aktualisht, janë 14 parti të përfaqësuara në parlament. Shumë prej tyre kanë mundësi ta kalojnë pragun elektoral prej shtatë për qind duke krijuar aleanca elektorale.

Çfarë janë aleancat politike?

Tri aleanca elektorale po luajnë një rol vendimtar në zgjedhjet parlamentare: Aleanca Popullore e Erdoganit, Aleanca Kombëtare e bllokut më të madh opozitar dhe Aleanca e Punës dhe Lirisë e udhëhequr nga Partia Demokratike Popullore pro-kurde ose HDP.

Prej vitesh, përveç AKP-së, Aleanca Popullore e Erdoganit ka përfshirë edhe partitë ultra-nacionaliste MHP dhe BBP. Atyre së fundmi iu bashkua Partia e Mirëqenies së Re, e cila e ka origjinën në ideologjinë islamike Milli Gorus.

Aleanca e Erdoganit mbështetet edhe nga partia radikale islamike prokurde HUDAPAR, e cila ka lidhje të ngushta me organizatën terroriste Hezbollah turk. Disa komunitete të mëdha myslimane ortodokse po bëjnë gjithashtu hapur fushatë për Erdoganin dhe aleancën e tij; rrezikojnë t’i humbasin privilegjet e shumta që gëzojnë aktualisht nën këtë president nëse ai humbet.

Aleanca më e madhe opozitare përbëhet nga gjashtë parti nga pjesë shumë të ndryshme të spektrit politik. Kandidati i tyre presidencial, Kemal Kilicdaroglu, ka qenë në gjendje t’i bashkonjë ata dhe gëzon respekt në mesin e shumë kritikëve të qeverisë. Aleanca Kurdo-Socialiste e Punës dhe Lirisë gjithashtu e favorizon Kilicdaroglu.

Forca shtytëse e kësaj aleance të tretë është HDP pro-kurde. Procedurat ligjore për ndalimin e kësaj partie aktualisht janë duke u zhvilluar. Mijëra anëtarë të saj janë në burg me akuza për terrorizëm dhe pothuajse të gjithë kryebashkiakët e HDP-së janë shkarkuar nga detyra.

Ish-bashkëkryetari i HDP-së, Selahattin Demirtas, i cili ka qenë i ndaluar në një burg të sigurisë së lartë për shtatë vitet e fundit, ka zhvilluar një fushatë efektive kundër Erdoganit dhe qeverisë së tij nga prapa grilave. Avokatët e tij i përcjellin mesazhet e tij për publikun, të cilat kanë ndihmuar edhe për të ndikuar në rrjedhën e fushatës zgjedhore, veçanërisht për çështjen kurde.

Sa persona kanë të drejtë të votojnë?

Sipas shifrave zyrtare, mbi 64.1 milionë njerëz kanë të drejtë vote në zgjedhjet e 14 majit. Më shumë se 3.4 milionë prej tyre jetojnë jashtë Turqisë. Kjo bën që votuesit jashtë shtetit të jenë blloku i katërt më i madh pas metropoleve të mëdha turke të Stambollit, Ankarasë dhe Izmirit. Votimi jashtë Turqisë është hapur me 27 prill.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e vitit 2018 ishte më e lartë se 86% në vetë Turqinë. Mes votuesve jashtë shtetit, ishte rreth 50%. Erdogan fitoi presidencën në raundin e parë me 53% të votave dhe aleanca e tij elektorale fitoi pothuajse 54% të votave të vlefshme të hedhura në Turqi. Të dy ishin më të suksesshëm në mesin e votuesve jashtë shtetit, duke shënuar mbi 60% në mesin e atij grupi.

Sipas autoritetit zgjedhor turk, 167,000 sirianë kanë gjithashtu të drejtë vote në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare. Të drejtë vote kanë po ashtu edhe janë 23,000 njerëz nga Afganistani, 21,000 nga Irani, 16,000 nga Iraku dhe 6,000 nga Libia. Me përjashtim të HDP-së pro-kurde, të gjitha partitë politike po konkurrojnë me një premtim zgjedhor për t’i kthyer refugjatët sa më shpejt të jetë e mundur.

Retorika e fushatës elektorale

Tërmetet shkatërruese në muajin shkurt dhe koha e muajit të agjërimit të Ramazanit lanë të nënkuptojnë që fushata do të fillojë me vonesë. Aleanca më e madhe opozitare dhe kandidati i saj presidencial, Kemal Kilicdaroglu, nisi ofenzivën e tij vetëm disa javë më parë.

Fushata elektorale e Erdoganit është fokusuar kryesisht në hapjen e projekteve shtetërore në shkallë të gjerë, të tilla si zbulimi i aeroplanmbajtëses së parë, apo inaugurimi i termocentralit të parë bërthamor në tokën turke, falë teknologjisë ruse. Por ai gjithashtu pëlqen të shfaqet në oborret e xhamive dhe i pëlqen të mbështetet në dezinformata.

Të gjitha kanalet mediatike po e përcjellin me zell vijën e qeverisë. TRT, transmetuesi shtetëror i radios dhe televizionit dhe agjencia e lajmeve Anadolu e kanë shoqëruar Erdoganin dhe aleatët e tij në çdo hap të rrugës. Opozita llogarit se pushtetarët kanë pasur 3600 minuta kohë transmetimi në katër javët e fundit; ndërkohë, konkurrentëve të tyre u janë ndarë një total prej 42 minutash, të gjitha për raportim negativ./Deutsche Welle