Zgjedhen fituesit e grantit të performancës komunale, Drenasi në vendin e parë

Komuna e Drenasit është  komuna me performancën më të mirë, duke u zgjedhur fituese në vendin e parë të grantit të performancës komunale, që jepet nga Ministria e Administratës së Pushtetit Lokal (MAPL), në bashkëpunim me Ambasadën Suedeze, Norvegjeze dhe atë Zvicerane.

Granti i Performancës Komunale për vitin fiskal 2021 do t’u ndahet komunave në pajtim me pikët e arritura në performancën komunale, në bazë të treguesve në tri tema kryesore: qeverisje demokratike; menaxhimi komunal dhe ofrimi i shërbimeve.

Shuma totale e grantit për këtë vit është 4.3 milionë euro.

Në ceremoninë e ndarjes së grantit i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se është një ngjarje e rëndësishme për të shënuar progresin e komunave.

“Ndarja e grantit të performancës komunale, përveç se shpërblim, është edhe mjet për njohjen e meritave të komunave. Shumëçka pritet nga niveli qendror, në shumë fusha, por jeta zhvillohet në komunë, prandaj pasqyra e progresit tonë si shoqëri janë komunat në tërësinë e tyre”, tha ndër të tjera kryeministri Kurti.

Ndërsa ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se ky grant do të vazhdojë të jetë prioritet strategjik i ministrisë.

“Ky grant shton vlerën e administratës shtetërore për shpërndarjen meritore të financimit, ky grant është vlerësuar nga institucionet më kredibile ndërkombëtare, siç është Bashkimi Evropian, prandaj do të vazhdojë të jetë prioritet strategjik i joni. E veçanta e ndarjes së grantit, është se ajo është skemë e hapur, që mundëson qasjen e donatorëve dhe shoqërisë civile, në të gjithë procesin”, tha Krasniqi.

Në vendin e parë në këtë grant u rendit Komuna e Drenasit me 75%, në vendin e dytë Komuna e Rahovecit me 71% dhe në vendin e tretë Komuna e Lipjanit dhe Obiliqit me nga 68%.