Regjistrimi i popullsisë në Kosovë

Zgjatet afati i regjistrimit të popullsisë, për Kosovë deri më 24 maj, për diasporë deri më 31 gusht

Qeveria e Kosovës ka vendosur të zgjasë afatin e procesit të regjistrimit të popullsisë deri më 24.05.2024.

Qeveria ka bërë të ditur se ka zhvilluar një mbledhje elektronike në të cilën, me kërkesë të komunave të Dragashit, Prishtinës, Prizrenit, Drenasit, Fushë-Kosovës, Skenderajt, Obiliqit, Ferizajt, Shtërpcës, Kaçanikut dhe Gjakovës ka miratuar vendimin për shtyrjen e afatit të procesit të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave deri më 24.05.2024.

“Sipas propozimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), prej datës 18 deri më 24 maj 2024, regjistrimi/intervistat do të zhvillohen vetëm nga stafi i rregullt i Agjencisë së Statistikave të Kosovës i cili do të mbulojë tërë territorin e Kosovës për rastet kur identifikohet një individ apo ekonomi familjare që për çfarëdo arsye nuk mund të regjistroheshin më herët”- thuhet në njoftim.

Ndërkaq, thuhet më tej në njoftim, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe ASK-së, regjistrimi i diasporës, përmes portalit eDiaspora shtyhet deri më datën 31.08.2024.

Për më shumë detaje, sipas njoftimit ASK-ja do të dalë me një komunikatë dhe do të bëjë publik planin e veprimit për periudhën shtesë të regjistrimit.

Sot më 17.05.2024 ishte dita e fundit e procesit të regjistrimit të popullsisë, atyre rezidentë dhe diasporës, proces ky që nisi më 05.04.2024.

ASK ka thënë të se deri më sot janë regjistruar mbi 1,4 milion banorë rezidentë në Kosovë.

Kurse, në diasporë janë regjisitruar 400 mijë persona.

Diaspora mund të regjistrohet në këtë LINK.