Zelensky kthehet në Ukrainë 'me rezultate të mira' pas vizitës në SHBA

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka deklaruar se po kthehet në Ukrainë “me rezultate të mira” pas vizitës së tij në Uashington. Në video-mesazhin e tij të parë pas takimit me presidentin amerikan Joe Biden dhe fjalimit në Kongresin amerikan, Zelenskiy e falënderoi Bidenin “për ndihmën e tij, udhëheqjen e tij ndërkombëtare dhe vendosmërinë e tij për të fituar”.

Zelenskiy mbajti një fjalim sfidues në seancën e përbashkët të Kongresit të mërkurën, duke thënë se mbështetja e vazhdueshme e Uashingtonit është çelësi për fitoren përfundimtare. Udhëtimi i tij në SHBA – i pari i tij që nga pushtimi rus i Ukrainës – erdhi mes shqetësimeve se udhëheqja e re republikane e Dhomës së Përfaqësuesve mund t’i kundërshtojë propozimet për një shtesë prej 45 miliardë dollarësh në armë dhe ndihmë të tjera vitin e ardhshëm.

Shtëpia e Bardhë njoftoi për një ndihmë tjetër prej 1.85 miliardë dollarësh, duke përfshirë, për herë të parë, raketat e mbrojtjes ajrore ‘Patriot’ për ta mbrojtur infrastrukturën e Ukrainës, tashmë të gjymtuar nga sulmet ruse.

SHBA po vendos sanksione të reja ndaj 10 entiteve detare ruse për operacionet ruse kundër porteve të Ukrainës, ka deklaruar sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken. Gjashtë nga entitetet e shënjestruara në sanksionet e fundit u caktuan të operonin ose të kishin operuar si në sektorin e mbrojtjes dhe materialeve përkatëse ashtu edhe në sektorin detar të ekonomisë ruse, tha të enjten Departamenti Amerikan i Shtetit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se mbrojtja ajrore ‘Patriot’ që SHBA po i furnizon Ukrainën është një sistem i vjetër armësh, të cilin Rusia do të jetë në gjendje ta “rrëzojë”.  

Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi mundësinë e përfundimit të luftës me Ukrainën përmes mjeteve diplomatike, Putin ka dekalruar se “të gjitha konfliktet e armatosura përfundojnë përmes negociatave”. Kremlini zyrtar ka thënë se furnizimi i SHBA me sistemet raketore Patriot në Kiev nuk do të kontribuojë në zgjidhjen e konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës dhe nuk do ta pengojë Moskën t’i arrijë qëllimet e saj.

Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut e ka mohuar një raport të mediave se e ka furnizuar Rusisë me municione, duke e quajtur atë “të pabazë” dhe e denoncoi SHBA-në për ofrimin e armëve vdekjeprurëse për Ukrainën, njoftoi të premten agjencia zyrtare e lajmeve e Veriut, KCNA. ‘Tokyo Shimbun’ i Japonisë raportoi më herët se Koreja e Veriut kishte dërguar municione, duke përfshirë predha artilerie, në Rusi nëpërmjet trenit përmes kufirit të tyre muajin e kaluar dhe se dërgesat shtesë priten në javët e ardhshme.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë, James Cleverly, e dënoi Korenë e Veriut dhe tha se kthimi i Putinit nga Pheniani për armë “është një shenjë e dëshpërimit dhe izolimit të Rusisë”.

Një zyrtar i instaluar nga Rusia në një pjesë të rajonit jugor të Ukrainës Kherson të kontrolluar nga forcat ruse u vra të enjten në një sulm me makinë bombë, sipas administratës lokale pro-Moskovite. 

Autoritetet gjermane kanë deklaruar se kanë arrestuar një punonjës të shërbimit të inteligjencës së jashtme të Gjermanisë nën dyshimin për tradhti, pasi dyshohet se i kishte dhënë informacion Rusisë. I dyshuari, një shtetas gjerman i identifikuar vetëm si Carsten L, u arrestua në Berlin të mërkurën, thanë prokurorët federalë në një deklaratë. Kjo vjen vetëm disa ditë pasi Austria tha se kishte identifikuar një shtetas grek 39-vjeçar që dyshohej se kishte spiunuar për Rusinë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala