Fitore Pacolli - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

AGK dhe KMSHK reagojnë ndaj thirrjeve të deputetes së LVV-së për "kontroll qeveritar" mbi mediat

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshillimi i Mediave të Shkruara të Kosovës janë shprehur të shqetësuar pas fjalimit të sotëm në Kuvendin e Kosovës të deputetes së partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.

Pacolli, sipas reagimit të AGK-së në Facebook, ka bërë thirrje për rregullim qeveritar të mediave, sidomos mediave online.

“Thirrja e hapur e deputetes Pacolli për ndërhyrje direkte të Qeverisë për kontroll ndaj mediave është e papranueshme për AGK-në dhe KMShK-në dhe paraqet rrezik për lirinë e medias në vend”, është thënë në këtë reagim.

Tutje është shtuar se mediat, që sipas AGK-së shumica e të cilave janë të regjistruara si biznese në ARBK, kurse një pjesë tjetër si OJQ, rregullojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet ligjeve përkatëse në Kosovë dhe rregulloreve të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe KMShK-së.

Në reagim është thënë se çdo tentim i Qeverisë për të ushtruar kontroll mbi mediat është tentativë e papranueshme për të ndërhyrë në punën e tyre dhe se ky është kërcënim serioz i pushtetit aktual kundër mediave.