Aleksandar Vulin | Foto: Milos Miskov, Beta

Vulin i del në mbrojtje përdorimit të termit ‘shiptar’

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka hedhur poshtë ankesat nga ministrja e jashtme e Kosovës për përdorimin e termit ‘shiptar’ nga ana e tij, term ky që cilësua si gjuhë urrejtjeje nga njw gjykatë e Beogradit në vitin 2018.

 

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin deklaroi të hënën se ai do të vazhdojë ta përdorë fjalën ‘shiptar’ përkundër ankesave të bëra nga Meliza Haradinaj-Stublla, ministrja e jashtme e Kosovës, se ky term përbën gjuhë raciste.

“Kur ata e nxjerrin fjalën” Shiptar “nga gjuha e tyre, si do që ta quajnë veten, unë do t’i quaj ata kështu,” tha Vulin. “Deri atëherë, unë do t’i respektoj zakonet dhe gjuhën e tyre, dhe me respekt do t’i quaj Shiptari ashtu siç që ata e quajnë vetën e tyre – Shiptarë.”

Vulin e përdori termin, i cili u vlerësua si ‘ofendues’ nga një gjykate e Beogradit në vitin 2018, në deklaratat zyrtare për media nga Ministria e Mbrojtjes të premten dhe të shtunën. Në një intervistë televizive të ditës së dielë, Haradinaj-Stublla reagoi ndaj  deklaratave, duke e konsideruar këtë gjuhë si “raciste, fyese dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve”.

Ministrja e jashtme e Kosovës bëri apel për një ‘reagim ndërkombëtar’dhe i shkroi një letër të hapur Grupit të Kuintit, i cili përbëhet nga Ambasadorët e SH.B.A., Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë të akredituar në Kosovë. Në letrën e saj për Kuintin, Haradinaj-Stublla deklaroi se gjuha e Vulinit meritonte “dënim të fortë”.

Megjithatë, Vulin i hodhi poshtë këto ankesa. “Nëse Haradinaj-Stublla ndjehet me turp pse është Shiptare, ajo nuk duhet të zemërohet me mua,” deklaroi ai.

Ministri serb i mbrojtjes ka një histori me të gjatë me përdorim të termave pezhorativ, duke shkaktuar polemikë në vitin 2019, kur deklaroi se ishte “në favor të formimit të kufirit me ‘Shiptari’ sa më shpejt të jetë e mundur”. Këshilli Kombëtar i Pakicës Shqiptare në Serbi paraqiti një proces gjyqësor kundër Vulin lidhur me komentet e bëra nga ai në qershorin e vitit 2019, megjithëse ky proces akoma pret fillimin e seancës gjyqësore.

Kryetari i këtij Këshilli, Ragmi Mustafa, deklaroi për Prishtina Insight se përdorimi i një gjuhe të tillë “është produkt i sistemit aktual, në të cilin institucionet përdorin një diskurs që nxit ksenofobinë kundër pakicave në Serbi”. Ai shtoi se treguesi më i madh i mendimit të Ministrit Vulin ishte fakti që padinë lidhur me vërjetjet ndaj tij ai e konsideroi si një ‘kompliment’.

Nisma e të Rinjve të Drejtat e Njeriut, YIHR, në Serbi gjithashtu ka ngritur një proces gjyqësor lidhur me përdorimin e këtij termi, duke ushtruar me sukses një padi ndaj  tabloidit ‘Informer’ në vitin 2018. Ivan Djuric, drejtori i programit të YIHR në Serbi, i tha Prishtina Insight se natyra ofenduese e termit është mjaft e qartë.

“Nëse përdorimi i fjalës ‘Shiptar’ nuk konsiderohej ofendues në të kaluarën, tani ky term përdoret qëllimisht nga Vulin dhe të tjerë si ai, përmes dëshirës së qartë për të ofenduar, përulur dhe poshtëruar,” deklaroi Djuric.

Ai shtoi se ndërsa Presidenti Vuçiq nuk i ka mbështetur haptazi deklaratat e ministrit, kjo është pjesë e një strategjie të dyfishtë komunikimi për Kosovën.

“Është  e qartë se ky është ‘mesazh i dyfishtë’, ndërkohë që Vuçiq flet gjatë gjithë kohës për paqe me shqiptarët e Kosovës, Vulin paraqitet ofendues dhe provokues,” tha ai. “Do të ishte një mesazh shumë pozitiv nëse, pavarësisht presionit nga Moska, Vulin do të lihej jashtë një qeverie të ardhshme.”

Për Enver Robellin, redaktorin e Politikës së Jashtme në të përditshmes zvicerane Tages Anzeiger, përdorimi i këtij termi është pjesë e një traditë të gjatë të nacionalizmit serb.

“Përmes përdorimit të kësaj fjale nacionalistët i shenjojnë shqiptarët si bashkësi e klasit të dytë”, tha Robelli për Prishtina Insight. “Fjala shiptar mund të krahasohet me fjalën zezak, të cilën racistët e përdorin për të ofenduar, njollosur e zhvlerësuar njerëzit me ngjyrë.”

Sidoqoftë, Robelli shtoi se ai nuk priste një reagim nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga BE. “Në disa vende anëtare të BE në vitet e fundit, gjuha polarizuese është normalizuar në diskursin publik – BE e vitit 2020 nuk është ajo BE e vitit 2010,” tha ai. “Megjithatë, kjo nuk duhet të dekurajojë politikanët shqiptarë në Prishtinë që të kundërshtojnë e hedhin poshtë sulmet primitive dhe fyerjet e politikanëve serbë.”