FOTO - Ora News

Vritet 25-vjeçari në Vlorë

Një 25-vjeçar është ekzekutuar me breshëri kallashnikovi në lagjen e quajtur ‘Uji i Ftohtë’ në qytetin e Vlorës.

K. B. i kthyer vetëm 3 muaj më parë nga Belgjika është ekzekutuar teksa po kthehej në shtëpi në zonën e quajtur ‘7 pallatet’ duke e lënë të vdekur në vend.

I riu është goditur nga një distancë e afërt nga një automjet i llojit BMW me targa greke e cila është gjendur e shkrumbuar nga flakët në lagjen ‘10 Korriku’ në Vlorë.

Në brendësi të saj është gjendur e djegur një armë e llojit kallashnikov e shkrumbuar nga flakët e cila është përdorur gjatë atentatit.

K. B. i cili mbeti i vrarë, është fytyrë e njohur për policinë teksa ende nuk dihen shkaqet dhe motivet e ngjarjes. Viktima ka marrë 5 plumba në trup që i kanë sjellë dhe vdekjen.

Policia gjatë natës ka shoqëruar 12 persona në cilësinë e dëshmitarëve okular.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për grumbullimin e çdo prove të vlefshme me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve./ORANEWS