
Foto: KALLXO.com
Vrasja në Prizren, dëshmitari: Mosmarrëveshja mes viktimës dhe të akuzuarve lindi për shkak të qenit pit bull
Në gjykimin ndaj Orhan dhe Albert Ademajt, të akuzuar për vrasjen e Mendim Kurtishajt, sot ka dëshmuar vëllai i viktimës, Pajtim Kurtishaj.
Dy vëllezërit Ademaj nga Prokuroria po akuzohen se më 1 maj 2020 në Prizren nga motivi i hakmarrjes kanë privuar nga jeta Mendim Kurtishajn.
Dëshmitari përpara trupit gjykues deklaroi se viktima Mendim Kurtishaj dhe i akuzuari Orhan Ademaj më herët kanë pasur një mosmarrëveshje.
“Vëllai im tani i ndjerë, diku para tri viteve më ka treguar se ka pasur një mosmarrëveshje me të akuzuarin Orhan Ademaj lidhur me një situatë kur vëllai e ka shëtitur qenin tonë të racës pitbull në lagje, dhe Orhan Ademaj i ka thanë që mos ta shëtiste qenin nëpër rrugët e lagjes sepse ata janë me fe, falen dhe u pengon”, shtoi dëshmitari.
Për këtë mosmarrëveshje, dëshmitari sqaroi se fillimisht ai kishte shkuar te familja e të akuzuarve Ademaj dhe nga babai i tyre kishte kërkuar që të pajtohen por nuk kishte arritur.
“Babai i tij më është përgjigjur se e kam djalin në burg, duke menduar në djalin e tij Albert Ademaj dhe pa dalë ai nga burgu nuk mund të thotë asgjë për këtë çështje”, tha dëshmitari.
Tutje dëshmitari sqaroi se ditën kur kishte ndodhur vrasja atë e kishte lajmëruar një shok i tij dhe kur kishte shkuar në Emergjencë nga policët dhe mjekët ishte informuar se vëllai i tij, Mendim Kurtishaj, ka vdekur para se të arrinte në Emergjencë.
Në gjykim, nga përfaqësuesi i Prokurorisë, Genc Nixha, u propozua që në seancën e radhës të dëgjohet si dëshmitar edhe M.H.
Kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi aprovoi propozimin e prokurorit dhe lëshoi urdhëresë pranë institutit IPFK, me të cilën do të kërkohet mendimi profesional lidhur me gjendjen psikike të dëshmitarit M.H., lidhur me mundësinë dhe aftësinë e tij mendore për dhënien e deklaratës para Gjykatës.
Për shkak të përfundimit të orarit të punës, gjykimi i sotëm u ndërpre e seanca e radhës u caktua për më 8 dhjetor.
Sipas aktakuzës të datës 30 tetor 2020, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj akuzohen se më 1 maj 2020, në Prizren, në bashkëkryerje, me dashje e nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta Mendim Kurtishajn.
Tutje, sipas aktakuzës, derisa të pandehurit ishin duke lëvizur me veturën e tyre, në momentin që e vërejnë Mendim Kurtishajn, i cili ishte në cilësinë e pasagjerit në motoçikletën e dëshmitarit M.H., i përcjellin me automjetin e tyre së pari në lagjen “Ortakoll” dhe i afrohen motoçikletës, ku vetë dëshmitari deklaron se i ka vërejtur thikën në dorën e të pandehurit Orhan Ademaj dhe me qëllim të shmangies së konfliktit eventual, i njëjti duke e drejtuar motoçikletën lëviz në drejtim të lagjes “Arbanë” gjithnjë duke u ndjekur pas nga të pandehurit.
Sipas Prokurorisë, kur arrijnë te “Transiti i ri” në Prizren, rrugë e cila nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë të vendosura në shtëpitë përreth, ku edhe është regjistruar veprimi i të pandehurve, të cilët me automjetin e tyre u janë vënë pas dhe e kanë goditur motoçikletën pas së cilës i pandehuri Orhan Ademaj pasi del nga automjeti i afrohet Mendim Kurtishajt dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit, pas së cilës me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas vjen autoambulanca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, me ç’rast është vërtetuar se i njëjti në emergjencë ka arritur pa shenja jete.
Me këto veprime Orhan dhe Albert Ademaj nga Prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasja e rëndë.
Raportimet e Kallxo.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë link.