Vrasja në Kaçanik, Policia jep detaje

Gjatë ditës së djeshme një person ka vdekur dhe një tjetër ka marrë lëndime trupore si pasojë e të shtënave me armë në Kaçanik.

Viktima dhe i lënduari, i cili sipas Policisë së Kosovës ishte dërguar në spital në gjendje të rëndë dhe pa vetëdije, janë vëllezër.

Në raportin 24-orësh të Policisë është treguar se lidhur me rastin dy persona janë të dyshuar dhe ata gjenden në arrati.

KALLXO.com ka raportuar dje gjatë ditës për këtë ngjarje.

Në një njoftim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj është treguar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në rrugën magjistrale Ferizaj – Kaçanik, tek vendi i quajtur “Fusha Pajtimit, përballë “Varrezave të Dëshmorëve’’ në Kaçanik.

“Nga arma e zjarrit, dy persona kanë pësuar plagë trupore dhe për pasojë në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë personi i moshës 30 vjeçar, vdekja e të cilit është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa plagë të rënda trupore ka pësuar edhe personi i dytë i moshës 32 vjeçare”, kishte thënë Prokuroria.

Ky i fundit sipas prokurorisë është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Vrasja në Kaçanik, i vrari dhe i plagosuri janë vëllezër