Foto: Ilustrim

Vrasja në Kaçanik, i vrari dhe i plagosuri janë vëllezër

Një person ka vdekur dhe një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë në Kaçanik.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari, në një bisedë telefonike me KALLXO.com ka konfirmuar se viktima dhe i plagosuri janë vëllezër.

“Po, viktima dhe i plagosuri janë vëllezër”, ka thënë Jashari.

Të dyshuarit për këtë rast, sipas një njoftim të Prokurorisë së Ferizajt janë në arrati.

Sipas prokurorisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në rrugën magjistrale Ferizaj – Kaçanik, tek vendi i quajtur “Fusha Pajtimit, përballë “Varrezave të Dëshmorëve’’ në Kaçanik.

“Nga arma e zjarrit, dy persona kanë pësuar plagë trupore dhe për pasojë në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë personi i moshës 30 vjeçar, vdekja e të cilit është konfirmuar nga mjekët kujdestarë, ndërsa plagë të rënda trupore ka pësuar edhe personi i dytë i moshës 32 vjeçare”, ka thënë Prokuroria.

Ky i fundit sipas prokurorisë është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Vrasja në Kaçanik, të dyshuarit gjenden në arrati