Ilustrim: Naser Fejza

Vrasja në Ferizaj, është plagosur edhe vëllai i mitur i viktimës

Vëllai i gruas që u vra në Ferizaj i lindur në vitin 2009 është plagosur në dorë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Kështu konfirmoi për KALLXO.com, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit të Ferizajt, Fikret Arifi.

“Në spital ka ardhë vëllai i të ndjerës. I është dhënë ndihma e parë, është jashtë rrezikut për jetë se plumbi në parakahraun e djathtë, në dorë domethënë. I është largu plumbi, i është imobilizu dora. Po planifikohet dërgimi i tij në Repartin e Ortopedisë në Ferizaj” – tha Arifi.

Ndërkaq, sipas tij gruaja ka qenë pa shenja jete në vendin e ngjarjes dhe nuk është dërguar fare në spital.

Sipas Arifit pasi që është marrë nga ekipi i Qendrës së Mjekësisë Familjare ajo është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se një grua është vrarë në Ferizaj.

Dyshimet e prokurorisë janë se autori i vrasjes është ish-bashkëshorti i viktimës.

Drejtoresha e Qendrës Sociale, Adelina Rexhepi e pyetur se a ka ndodhur vrasja para objektit të Qendrës për Punë Sociale, është përgjigjur me “po, ka ndodhë”.

“Momentalisht jam me Policinë, ka ndodhë, por nuk muj me dhanë asnjë informatë.” E pyetur se a ka ndodhur rasti “tek objekti juaj”, ajo është përgjigjur me “po”.

Shënim: Artikulli është edituar më 16.04.2024, në ora 17:45, duke u zëvendësuar fjalia “Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi e ka konfirmuar për KALLXO.com se vrasja ka ndodhur para objektit të këtij institucionit”, për t’u zëvendësuar duke iu saktësuar citati drejtoreshës së qendrës që e ka dhënë deklaratën përmes telefonit, për KALLXO.com, përfshirë edhe pyetjet e gazetares. Informacionet zyrtare më vonë konfirmuan se vrasja ka ndodhur brenda një zyre të Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.