Foto: KALLXO.com

Vrasja në Bellanicë, në Gjykatën e Apelit mbrojtja e të akuzuarit kërkon zbutjen e dënimit, familja e viktimës ashpërsimin

Në Gjykatën e Apelit më 06.06.2024 është mbajtur seanca ndaj të pandehurit Isuf Zogaj, i akuzuar për vrasjen e A.B. në Bellanicë të Malishevës.

Zogaj ishte dënuar nga Gjykata e Gjakovës në shkurt të vitit 2024 me 19 vjet burgim.

Ngjarja për të cilën po gjykohet Isuf Zogaj ka ndodhur më 20.09.2023.

Ndaj vendimit të Gjykatës së shkallës së parë është ankuar Prokuroria e Gjakovës, mbrojtësi i të akuzuarit Isuf Zogaj, avokati Osman Hoxha, si dhe bashkëshortja e të ndjerit, Minire Gollopeni, në cilësinë e të dëmtuarës.

Seanca e datës 06.06.2024 ka filluar me elaborimin e ankesës së Prokurorisë nga gjyqtari referues Hashim Qollaku.

“Duke theksuar se Gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar në masë të duhur të gjitha rrethanat, e posaçërisht është dashur që të vlerësojë që i ndjeri është goditur 5 herë me plumba në kokë dhe dy herë pasi që ka rënë në tokë” – tha gjyqtari referues, Hashim Qollaku.

Seanca ka vazhduar me deklarimin e Minire Gollopenit, e cila tha se qëndron prapa ankesës së ushtruar nga avokati Blerim Mazreku.

Avokati Blerim Mazreku në fjalën e tij tha se dënimi i shqiptuar është i ulët në krahasim me pasojat e shkaktuara me kryerjen e veprës penale nga i akuzuari.

“Ne konsiderojmë qe vendimi mbi dënimin është i ulët sa i përket sanksionit penal për të akuzuarin, ngase pasojat që janë shkaktuar për të cilën është shpallur fajtor i akuzuari është i ulët në raport me pasojat që janë shkaktuar në këtë rast, sepse i ndjeri ka lënë fëmijët dhe bashkëshorten të cilët do t’i bartin pasojat gjithë jetën” – tha avokati i palës së dëmtuar, Blerim Mazreku.

“Në rastin konkret është dashtë që Gjykata e shkallës së parë t’i shqiptojë dënim shumë më të rëndë sesa dënimi i shqiptuar” – shtoi avokati Blerim Mazreku.

Tutje seanca ka vazhduar edhe me fjalën e mbrojtësit të të akuzuarit Isuf Zogaj.

Avokati Osman Hoxha e ka kundërshtuar në tërësi ankesën e Prokurorisë dhe ankesën e palës së dëmtuar.

“E kundërshtojmë në tërësi ankesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës dhe ankesën e përfaqësuesit të palës se të dëmtuar” – tha avokati Osman Hoxha.

Tutje Hoxha tha se dorëzimi i të akuzuarit shpreh pendesë të thellë.

“Vetë dorëzimi pas 10 minutave në organet policore nuk mund të interpretohet në asnjë formë tjetër vetëm pendesa e thellë për atë që ka ndodhur” – deklaroi avokati Osman Hoxha.

Më tej avokati i propozoi kolegjit të gjyqtarëve të rastit të vlerësojë të gjitha rrethanat.

“Ne i propozojmë kolegjit t’i vlerësojë edhe një herë të gjitha  rrethanat rënduese dhe lehtësuese dhe të akuzuarit t’i shqiptojë një dënim më të butë” – tha avokati.

I akuzuari Isuf Zogaj ka mbështetur fjalët e avokatit të tij.

Në këtë seancë nuk ishte askush nga Prokuroria.

Cilat janë pretendimet e Prokurorisë në aktakuzë?

Kujtojmë se sipas aktakuzës, në mëngjesin e datës 20.09.2023 në fshatin Bellanicë të Malishevës me dashje e ka privuar nga jeta tani viktimën A.B.

Në aktakuzë thuhet se viktima ishte duke shkuar me veturë në punë dhe i akuzuari me të parë tashmë të ndjerin të ndalet në vend parking, shkon te vetura e tij hap derën dhe e qëllon me armë në kokë pesë herë.

Pas vrasjes, i pandehuri është larguar nga vend i ngjarjes dhe është lajmëruar në Polici.