Vrasja e Liridona Ademajt, Gjykata lë në paraburgim Naim Murselin dhe dy të dyshuarit tjerë

Gjykata e Prishtinës i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj tjerë Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt. Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga Gjykata e Prishtinës.

Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023 në ora 20:25 në Rrugën “Dalip Alshiqi, dhe sipas prokurorisë dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.

Ndaj Naim Murselit rëndon vepra penale e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, kurse për Plavën rëndon vepra penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa për Kushtrim Kokallën marrëveshje për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

I dyshuari i katërt, i cili sipas prokurorisë është i përfshirë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, T. D. do mbrohet në liri sipas vendimit të Gjykatës Supreme të datës 17.04.2024.

Supremja e kishte aprovuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë që kishte bërë mbrojtësi i T. D., kundër vendimit të Themelores dhe të Apelit, vendime këto që kishin vendosur që të dyshuarin e katërt ta lënë në paraburgim.

T. D. gjendej nën masën e paraburgimit që nga data 11.12.2023.

I njëjti ishte arrestuar më 09.12.2024 për veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve”.

Dosja e Prokurorisë

Sipas dosjes që kishte siguruar KALLXO.com, disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e Ademajt.

Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes.

Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, kur Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën”.

“Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’”- thuhet në dosje.

“Naim Murseli i ka treguar të pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore, me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Kështu të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt.

Sipas vendimit të gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve, dhe Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka”.

Pas këtij takimi Naim Murseli, kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë numrin.

Sipas dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast sipas prokurorisë dyshohet të jetë, Granit Plava.

Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.

Sipas dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më armë dorasin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit 2023, rreth orës 20:25 në Rrugën “Dalip Alshiqi”.

Sipas dosjes, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me maskë në kokë dhe revole në dorë dhe sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë kishte dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, Liridona Ademaj.

Ajo nuk kishte arritur të dilte nga vetura, pasi dyshohet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vendin e ngjarjes.

Krejt ky inskenim, sipas dosjes së prokurorisë, ishte bërë pas një premtimi në shumë prej 30 mijë eurosh që Murseli i kishte bërë Plavës për kryerjen e këtij veprimi.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar KËTU – LINK