FOTO 'Shkolla Pavarësia' - FCB

Vonohen punimet për aneksin e Shkollës 'Pavarësia' në Prishtinë

Shkolla e Fillore e Mesme e Ulët “Pavarësia” në Prishtinë do ta përmbyll edhe këtë vit shkollor, 2023-2024 duke punuar me tri ndërrime mësimore.

SHFMU “Pavarësia” është detyruar që një kohë të gjatë të punojë me tri ndërrime mësimore për shkak të numrit të madh të nxënësve që vijojnë mësimin në këtë shkollë.

Kjo pasi se punimet për “Aneksin e shkollës Pavarësia” nuk kanë përfunduar ende dhe kanë kaluar afatin kohore të paraparë më kontratë.

Lidhur më këtë çështje, KALLXO.com ka pyetur Komunën e Prishtinës e cila ka konfirmuar se ka pasur tejkalim të afatit kohor duke u arsyetuar në interpretimin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) dhe Ligjit të Prokurimit Publik (LPP).

“Punimet për ndërtimin e “Aneksit të shkollës Pavarësia” kanë tejkaluar afatin e paraparë në kontratë, i cili është i përcaktuar me ditë kalendarike. Por, sipas interpretimit të KRPP-së dhe nenit 5 të LPP-së, afatet kohore fillojnë dhe përfundojnë në ditë pune, nga e hëna deri të premten, dhe koha zyrtare e punës është nga ora 08:00 deri në 16:00”- thuhet në përgjigjen e Komunës.

Shkak tjetër, sipas Komunës, për mos përfundimin e punimeve janë bërë edhe vonesat nga projektuesi-autori për të kthyer përgjigje për sqarime në lidhje me disa pozicione të projektit.

“Gjithashtu, kemi pasur paqartësi në projekt ku projektuesi-autori nuk ka kthyer përgjigje për disa pozicione të cilat kërkonin sqarime, gjë që ka marrë shumë kohë”- thonë nga Komuna e Prishtinës.

Sipas Komunës, punimet priten të përfundojnë në muajin gusht dhe aneksi i shkollës do të jetë i gatshëm për vitin e ri shkollorë.

“Punimet pritet të përfundojnë në fund të muajit gusht dhe aneksi i shkollës do të jetë i gatshëm për shtator”- vijon përgjigja e Komunës.

Ndërsa, drejtori i Shkollës “Pavarësia”, Isak Bregaj, për KALLXO.com ka treguar se në dy javët e fundit është punuar intensivisht përderisa shton se, më herët numri i punëtoreve që kanë punuar ka qenë shumë i vogël.

“Këto dy javët e fundit është duke u punuar intensivisht më kapacitete të plota të punëtoreve, deri në 10-15 punëtorë, e përpara jo, përpara nuk kanë punuar, kanë punuar dy vetë një (punëtor)” – thotë Bregaj.

Drejtori Bregaj po ashtu shtoi se pas përfundimit mësimor të nxënësve të klasave të 9-ta, ka qenë më i lehtë zhvillimi i procesit mësimor pasi janë liruar disa klasë.

Më 20.06.2023, Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e “Aneksit të shkollës Pavarësia”.

Vlera e kësaj kontrate është 879,554.55 Euro.

Sipas kontratës, punimet do duhej të përfundonin në afatin kohore prej 250 ditëve dhe punimet do duhej te fillonin 15 ditë pas nënshkrimit të kontratës.

Kompania e kontraktuar nga komuna për ta ndërtuar ketë aneks është Kompania “ TERMOMONTIMI”.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj përmes telefonit me kompaninë ndërtues për të pyetur në lidhje me këtë, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshme deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Për këtë çështje KALLXO.com ka raportuar edhe mw 01.09.2023.

Atëkohë, drejtori Bregaj, kishte njoftuar se kërkesa e tyre për ndërtimin e këtij aneksi ka qenë para 6 vite

“Minimumi qe gjashtë vjet kërkesat janë, së paku ky aneks si projekt ekziston qe 5 ose 6 vjet”- thotë Bregaj.

Krejt kjo ka ardhur si shkak i numrit të madh të banorëve që jetojnë në lagjja Mati 1, ku ndodhet shkolla “Pavarësia”.