Rruga Prishtinë - Podujevë. Foto: KALLXO.com

Ministria e Infrastrukturës jep tjetër kontratë për rrugën Prishtinë – Podujevë në vlerë mbi 570 mijë euro

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ka dhënë një tjetër kontratë në vlerë prej 575 mijë e 972 euro, për rrugën Prishtinë – Podujevë.

Kontrata i është dhënë konzorciumit “Agbes Construksion; Arbotec; Geo Construction dhe Mineral”, me procedurë të negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë.

Sipas të dhënave në tender, punët që do të kryhen përmes kësaj kontrate janë punë ndërtimore në seksionin e rrugës; një urë, një mbikalim për këmbësorë dhe punë të tjera, si instalime elektrike dhe instalim i kabllove.

Kontrata është dhënë më 11.06.2024.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me zëvendësministrin Hysen Durmishi për të kuptuar më shumë rreth kontratës, por ai ka qenë i paqasshëm përmes telefonit.

Durmishi, më 08.05.2024 është intervistuar si i dyshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për tenderin e rrugës Prishtinë – Podujevë.

Ai para gazetarëve, pas intervistimit, kishte thënë se pyetjet e prokurorit kanë qenë “sqaruese”.

“… i sqarova të gjitha pyetjet që i kishte prokurori për ta dëshmuar se procesi për rrugën Prishtinë – Podujevë ka qenë i rregullt dhe atje po zhvillohen punimet me dimanikën të cilën e kemi planifikuar. Në njëfarë mënyre e sqarova edhe para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces” – kishte thënë Durmishi.

Në korrik të vitit 2023 në emisionin “Kallxo Përnime” ishte publikuar hulumtimi pikërisht për rrugën Prishtinë – Podujevë, në të cilin tregohej se si Hysen Durmishi kishte nënshkruar kontratat për këtë tender, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Ligji i Prokurimit Publik e përcakton se në momentin kur ka ankesë aktive nga një operator ekonomik që ka marrë pjesë në tender, aktiviteti i prokurimit pezullohet dhe autoriteti kontraktues nuk ka të drejtë të procedojë me nënshkrim të kontratave.

Këtë e kishte konfirmuar edhe vetë OSHP, në një vendim të marrë më 04.12.2023.

Sipas vendimit të OSHP-së, nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e llotit të dytë të magjistrales Prishtinë-Podujevë, ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, pasi për këtë llot kishte ankesë aktive dhe tenderi është dashur të pezullohej.

Ankesa në OSHP ishte dorëzuar më 15.06.2023, ndërsa kontrata ishte nënshkruar katër ditë më vonë, më 19.06.2023 nga Nexhat Krasniqi, zyrtar përgjegjës i Prokurimit, i cili është futur në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kontrata ishte nënshkruar edhe nga Hysen Durmishi, zv/ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe nga Izedin Bytyqi, zv/zyrtar kryesor Administrativ në këtë ministri.

Një nga pesë kontratat, ajo në vlerë prej 9.2 milionë eurove i ishte dhënë kompanisë “Bageri”, për të cilën zv/ministri Hysen Durmishi kishte thënë se pronarin e kësaj kompanie e ka shok.

Për shkak të mospezullimit të aktivitetit të prokurimit, Gjykata e Tenderëve ka kërkuar që t’i revokohet certifikata e zyrtarit përgjegjës të prokurimit në këtë ministri. Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) e kishte konfirmuar për KALLXO.com se zyrtari i ministrisë që OSHP ka kërkuar t’i revokohet certifikata është Nexhat Krasniqi.

Përkundër shkeljeve të konstatuara, OSHP-ja kishte rekomanduar që vendimi i ministrisë dhe kontrata e nënshkruar me kompaninë “Bageri” të mbetet në fuqi.

“Paneli shqyrtues vendosi lënien në fuqi të kontratës lidhur me aktivitetin e prokurimit në rastin konkret duke u nisur kryesisht nga parimi i përgjithshëm i interesit publik duke ju referuar nenit 104 par. 4 pika (iii) të LPP-së, sipas të cilit OSHP duhet të marrë për bazë pasojat e mundshme të veprimeve ose masave që mund të dëmtohen, duke përfshirë interesin publik”- thuhej në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.