Foto/ Facebook

Vizita e Mehajt dhe Sveçlës në veri, Lista Serbe e quan provokim

Lista Serbe e ka quajtur provokim vizitën e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe atij të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në dy pikat kufitare në veri të vendit, në Jarinjë e Bërnjak.

“Qytetarët në këtë moment janë të mërzitur dhe pyesin se në çfarë cilësie ka qenë ministri i Mbrojtjes i Prishtinës Mehaj në ambientet serbe, me ç’rast kush e ka telefonuar, a janë shoqëruar nga pjesëtarë të KBS-së dhe nga kush kanë marrë leje për të hyrë në veri të Kosovës”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Tutje ata kanë thënë edhe se kjo nuk është një vizitë e zakonshme.

“Theksojmë se kjo nuk është një vizitë e zakonshme, por një provokim i pastër që ka mërzitur qytetarët tanë të cilët me të drejtë kërkojnë ndalimin e provokimeve që cenojnë paqen në këtë rajon”, përfundon reagimi.

Dy ministrat e qeverisë aktuale, ai i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, kanë vizituar dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, në Jarinjë e Bërnjak.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se angazhimi i njësiteve të Policisë së Kosovës në luftimin e kontrabandës dhe kontrollit kufitar po prodhon rezultate.

Ai ka thënë tutje edhe se vizitoi pikat kufitare në të cilat po vijon po ashtu zbatimi i marrëveshjes për targat.

“Mbesim të përkushtuar për ngritje dhe forcim të kapaciteteve tona drejt qëllimit tonë për sundim të rendit dhe ligjit në çdo cep të vendit tonë”, thotë Sveçla në Facebook.

Në anën tjetër edhe ministri Mehaj ka shkruar disa fjalë për vizitën në pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak.

“Po vazhdon me sukses kontrolli strikt, i cili mundëson luftimin me efikasitet të kontrabandës. Për të parë nga afër punën që po bëjnë Njësitet tona të Policisë, së bashku me ministrin Xhelal Sveçla, ishim në vizitë në këto dy pika.”, ka shkruar Mehaj.

Sipas Mehajt, Policia e Kosovës po bën punë të shkëlqyer.

“Zbatimi i ligjit është dhe do të mbetet detyra e përkushtimi ynë kryesor. Përgëzoj Policinë e Republikës së Kosovës, për profesionalizmin në punën e tyre, gjithnjë në shërbim të vendit”, ka shkruar tutje Mehaj.

Kujtojmë se forcat të cilat Mehaj i udhëheq pra Forcat e Sigurisë së Kosovës, nuk lejohen që të futen brenda territorit të veriut të vendit pa pasur një leje paraprake nga NATO dhe nga kryetarët e komunave me shumicë serbe.