Foto: Ministria e Shëndetësisë, Facebook.

Vitia viziton institutet para-klinike dhe morgun, premton racionalizmin e resurseve njerëzore

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka vizituar sot institutet para-klinike në QKUK dhe morgun.

Sipas njoftimit të ministrisë, kjo vizitë u bë për të parë nga afër realizimin e projektit 654 mijë eurosh që sic thuhet aty, kishte për qëllim përmirësimin e kushteve të punës dhe investimet në infrastrukturë.

Ai ishte i shoqëruar në këtë vizitë edhe nga persona të tjerë të rëndësishëm të shëndetësisë, si nga u.d drejtoresha e SHSKUK-së, Narqize Arenliu – Hoxhaj, udhëheqësja e Bordit, Aida Rexhepi dhe anëtarja e Bordit, Agreta Gecaj.

“Në këtë projekt në vlerë të 654 mijë eurove, janë të përfshira pajisjet mjekësore dhe inventarizimi i dorëzuar në institutet para-klinike, furnizimi dhe instalimi i tyre, pajiset fikse të mobilizuara, pajisjet lëvizëse të specializuara dhe furnizimet për institutet para-klinike” – njofton MSh.

Kreu i kësaj ministrie premtoi investime të tjera dhe tha se janë duke bërë një plan intensiv edhe në racionalizmin e resurseve njerëzore.

“Jemi duke bërë një plan përveç se intensiv edhe në racionalizmin e resurseve njerëzore, krejt kjo për të racionalizuar kohën e cila do të mund të përdorët në të mirë të shërbimit të qytetarëve.” – deklaroi Vitia.

Shërbimet para-klinike, ai i cilësoi si shumë të rëndësishme, prandaj u shpreh i interesuar për t’i dhënë një dimension tjetër këtyre shërbimeve.

“Ne jemi të përkushtuar që çdo nevojë për investime që vjen nga ju së pari, ne t’i përgjigjemi sa më mirë e shpjet që është e mundshme” – shtoi Arben Vitia.

Ky projekt, siç thotë ministria, ishte paraparë të realizohej në kuadër të bashkëpunimit me Bankën Botërore për rritjen e kapaciteteve për Covid-19, e ku një prej aktivitetet ishte edhe ndërtimi i instituteve para-klinike.