Vitia: Sot 21 të shëruar nga COVID-19

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se sot numri i të shëruarve nga coronavirusi është 21, duke e çuar numrin total të të shëruarve në 123.

Sipas të dhënave të publikuara nga ministri Vitia, sot janë realizuar 353 testime dhe prej tyre 37 kanë dalë pozitiv me coronavirusi.

“Është inkurajuese se nga disa Komuna si Malisheva, Ferizaj dhe Suhareka, si vatra te infeksionit për disa ditë, sonte nuk ka asnjë rast”, ka thënë Vitia.

Por, Vitia ka thënë se ka vatra ose shtim të numrit në disa lokalitete të reja.

“Ata presupozohet që e kanë marrë këtë virusin të paktën 2 javë më herët, pra në fillim të prillit, nga kontaktet e tyre”, ka shtuar Vitia.

Sipas tij, masat mbrojtëse janë shpëtim.

“Distanca e ruajtur dhe me miqtë apo të afërmit është përnjëmend mbrojtje. Nuk koritemi nëse i bëjmë zakone këto rregulla shëndetësore. Përkundrazi i mbrojmë familjarët dhe miqtë”, ka përfunduar ai.

Që nga 13 marsi, kur është regjistruar personi i parë me coronavirus në Kosovë, e deri më sot, janë shënuar gjithsej 598 të infektuar, 123 të shëruar dhe 12 të vdekur.