Viola Von Cramon

Viola Von Cramon reagon pas padisë së PDK-së ndaj BIRN-it

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka reaguar pas padisë që PDK-ja ka bërë ndaj BIRN-it.

Hulumtimi i gazetares Jeta Xharra (BIRN) ka treguar se me paratë e taksapaguesve të Kosovës janë paguar lobistë për temën e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë.

Në lidhje me këtë hulumtim PDK-ja ka ngritur padi për shpifje.

Von Cramon ka deklaruar se nëse hulumtimi është i rremë duhet sjellur kundërprova,  përndryshe padia është bërë për të heshtur gazetarët.

“Padi tipike SLAPP [padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike] në Kosovë: BIRN ka botuar storje me prova se ish-ministrja Dhurata Hoxha punësoi firmën franceze të PR-it për të lobuar për shkëmbim territoresh dhe tani PDK padit gazetaren Jeta Xharra. Nëse artikulli është i rremë, sillni kundërprova, përndryshe kjo është vetëm të heshtni gazetarët”, ka shkruar ajo në Twitter.

Edhe Qendra Europiane e Lirisë së Shtypit dhe Mediave (ECPMF) i ka dalë në mbrojtje Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) dhe gazetares Jeta Xharra.

“ECMPF është shokuar kur ka kuptuar për një proces gjyqësor që pretendon 2 milionë euro dëmshpërblim, është ngritur kundër BIRN Kosovës. Kërcënimet ligjore janë bërë një nga kërcënimet më serioze ndaj shtypit të lirë”, thuhet në reagimin e Qendrës Europiane për Lirnë e Shtypit dhe Mediave.

ECPMF ka kërkuar nga PDK-ja dhe ish-ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, që ta tërheqin këtë proces gjyqësor të pavlerë, siç e kanë quajtur ata.

Hulumtimi i publikuar ditë më parë nga BIRN zbuloi se ish-ministrja e Integrimit Evropian ka lidhur një kontratë të dyshimtë për të lobuar pro shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një ide e proklamuar gjatë vitit 2018 edhe nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili ishte kryetar i PDK-së, partisë të cilës i takon Dhurata Hoxha.

Hulumtimi i dytë gjithashtu, zbuloi se në lobim për shkëmbim territoresh ishte i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Paris, Qëndrim Gashi.