Foto: Kallxo.com

Vihet gurthemeli i shtatores së Skënderbeut në Prizren

Në hyrje të Prizrenit, te vendi i njohur si rrethi i ish Ben Af-it, në afërsi të stacionit të autobusëve është vendosur gurthemeli për shtatoren e Skënderbeut, e kjo pjesë tash e tutje do të quhet sheshi i “Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”. 

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, deputetët e Vetëvendosjes, Artan Abrashi dhe Arbër Rexhaj, dhe drejtori i Administratës  së Komunës së Prizrenit, Osman Hajdari ishin të parët që hodhën nga një lopatë me beton në një gropë të vogël të sapo hapur. 

Bashkë me zyrtarët e Komunës ishte edhe kryetari i shoqatës Trojet e Arbërit, Nue Oroshi. 

Nue Oroshi tha se ndërtimi i shtatores dhe hapësirës përreth do të kushtojë rreth 70 mijë euro, ndërsa e gjithë kjo pritet të përfundoj më 2 mars 2020. 

“Presim që këtë nismë ta mbështes edhe Asambleja Komunale e Prizrenit dhe ta aprovon propozimin që ky vend tash e tutje të quhet sheshi i “Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, shtoi Oroshi për media duke treguar se shtatorja e Skënderbeut pritet të jetë e lartë rreth 5 metra. 

Mytaher Haskuka tha se në mënyrë simbolike po vendosin gurthemelin për shtatoren e Skënderbeut, dhe se janë dakorduar që vendi ku po vendoset gurthemeli në të ardhmen të quhet sheshi i “Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”.

Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com