VIDEO - Pamje nga objekti i Komisionit Komunal Zgjedhor që u demolua mbrëmë në Mitrovicën e Veriut

Situata në Mitrovicën e Veriut sot është më stabile, pas ngjarjeve që ndodhën dje në këtë pjesë të Kosovës.

Ekipi i KALLXO.com është duke qëndruar në këtë qytet, ku janë parë që pranë zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor që u demolua dje ka pasur lëvizje normale.

Dje gjatë ditës, në veri të Mitrovicës pati vazhdimisht disa shpërthime në pjesë të ndryshme të qytetit, e madje në komunat veriore u lëshuan edhe sirenat.

Një nga vendet ku dëgjoheshin shpërthime të tilla ishte edhe pjesa ku njihet si “Tri rrokaqiejt”, ku edhe gjendet zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor.

Të gjitha këto ndodhën pas kundërshtimeve të patën qytetarët ndaj shkuarjes së zyrtarëve të lartë të përzgjedhur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi kishte treguar se shkuarja e këtyre zyrtarëve kishte qenë me qëllim të kryerjes së detyrave zyrtare lidhur me zgjedhjet që janë planifikuar të mbahen më 18 dhjetor në komunat e veriut të Kosovës.

“Zyrtarët Komunalë të Zgjedhjeve, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyret e tyre, në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare, por kjo nuk ishte e mundur” – kishte thënë Elezi për KALLXO.com.

Përderisa sot gjatë ditës KQZ ka vazhduar angazhimet për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të vendit.

Në mëngjesin e sotëm është hedhur shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri.

Për situatën e krijuar në veri, më një njoftim zyrtar kishte dalë edhe Policia e Kosovës.

Këta të fundit kishin treguar se nga KQZ kishin marr kërkesë për asistencë rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat në veri të vendit.

Pas kësaj kërkesë Policia njoftuan se dje, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, Njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në zyrat e caktuara.

Mirëpo, siç duket kjo nuk ishte pritur mirë nga qytetarët e kësaj zone të cilët kundërshtuan këtë vendim me shpërthime e madje edhe me shkrepje armësh.

Incidentet janë regjistruar edhe nga ana e Policisë, të cilët dje njoftuan se nuk ka pasur ndonjë raportim për ndonjë të lënduar.

Ekipi i KALLXO.com dje ka qëndruar në veri të Mitrovicës dhe ka përcjellur nga afër këtë ngjarje.

Zyra e KKZ-së në Mitrovicën veriore është parë e demoluar, e kjo është konfirmuar edhe nga Policia.

Pranë kësaj zyre, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme qëndruan ekipe të shtuara të Policisë, KFOR-it e të EULEX-it.

Kjo pasi, brenda zyrës ishte parë edhe një mjetë shpërthyes qe më pas ishte asgjësuar nga ekipet e KFOR-it.

Për këtë, Policia kishte thënë se dëmtimet e zyrës janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav.

“Policia e Kosovës dhe KFOR-i (njësitet kompetente për deminim-EOD) janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, për pastrimin e zonës” – thuhej në njoftimin e Policisë.