VIDEO: Nëna vetushqyese strehohet nga Komuna e Obiliqit në banesë të shkatërruar

Kjo është Hazbije Brahimi, nënë vetushqyese nga qyteti i Obiliqit.

Për shkak të kushteve të vështira dhe mungesës së vendbanimit, Komuna e Obiliqit ka vendosur t’i japë një strehim.

Mirëpo, ajo çfarë Hazbija, nëna e një vajzë 10-vjeçare, ka gjetur pasi ka hapur derën është një gjendje e mjerueshme.

“Këtu është një katrahurë e madhe. Unë jam nanë vetushqyese dhe nuk kam kapacitet me i ba ballë kësaj banese. Banjo është e prishur, rrymë s’ka, kanalizmi nuk bën. Këtu ka edhe myk”, thotë ajo.

Hazbije Brahimi me lotë në sy tregon se nuk ka mundësi financiare për ta rinovuar banesën, derisa tregon se cili ka qenë komunikimi i saj me zyrtarët e Komunës.

“Kur jam hy në banesë, veç sa nuk më ka ra pika në zemër. Ky nuk është strehim. Unë s’kam kapacitet me rregullu këtë banesë. Jam rast social, 87 euro në muaj i marr. Kam qenë në komunë, më thanë: Gëzohu që e ke marrë këtë banesë! Komuna tha s’kemi buxhet me ta rregullu, bën çka të duash”, shton ajo.

 

Rreziku nga pandemia dhe dimri i ftohtë që na pret për Hazbijen janë frika më e madhe.

“Unë këtë javë kam pasë të operohem. Tash nuk e di çfarë bëj. Ku me shku, këtu nuk mundem me hy, a jetohet këtu me vajzën e sëmurë, e cila ka infeksion në lukth dhe po ashtu është me diabet”

KALLXO.com ka provuar të marrë një koment nga Komuna e Obiliqit, por ata s’kanë qenë të qasshëm.