Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Rrëfimi për 21 vjeçarin nga Prishtina që rrezikoi të paralizohej pas goditjes nga polici

Emisioni  ‘Drejtësia në Kosovë’  ka trajtuar incidentin ku një 21 vjeçar nga Prishtina rrezikoj të paralizohet pas disa goditjeve që dyshohet se i mori nga një polic

E gjithë ngjarja kishte ndodhur javën e kaluar në Lagjen Velania në Prishtinë më saktësisht te varri i ish- presidentit Ibrahim Rugova, ku polici po bënte roje.

Drejtori i klinikës radiologjike Doktor Bujar Gjikolli ka rrëfyer peripecitë e operacionit në kokë të 21 vjeçarit.

“Ne parim djaloshi ka pasur humbje të lëvizshmërisë së anës së djathtë  si pasoj e mbylljes së enës në anën e majtë dhe ka filluar rregullimi apo pamundësia për të folur”, ka thanë Gjikolli për DNK.

Kushtrim Hodaj nga Inspektorati Policor i Kosovës ka treguar per masat e marra në lidhje me rastin.

“Ne si IPK kemi pranuar një ankesë te disa familjarëve të 21 vjeçarit të cilët kanë pretenduar se ky person është lënduar pasi që është sulmuar nga një polic dhe si rezultat i të cilës ka pësuar një lëndim të rëndë, dhe me vendim të prokurorit polici është arrestuar”, tha Hodaj.

Në lidhje me gjithë ngjarjen, ekipi i DNK ka kontaktuar edhe me avokatin e policit të dyshuar.

Avokati Muhamet Mujaj thotë se klienti i tij është sulmuar nga 21 vjeçari gjatë kohë sa ka qenë duke punuar ne punën zyrtare.

“Për informim të opinionit publik, zyrtari policor ka qenë duke punuar ne vendin e tij të punës ne statikun numër 3 tek varri i ish presidentit Rugova, aty nga një person i panjohur deri sa zyrtari ka qenë brenda statikut është sulmuar fizikisht ne kokë ku ka marr lëndime serioze”, thekson avokati Mujaj.

Polici për momentin është i burgosur ndërsa hetimet pritet të zbardhin verzionin përfundimtar të ngjarjes.