Veturat në drejtim të Parkut të Gërmisë, Foto: KALLXO.com.

Vetura të shumta në hyrje të Parkut të Gërmisë (FOTO)

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga e premtja nga ora 20:00 deri të hënën në orën 5:00 të mëngjesit të mbyllen lokalet e gastronomisë, qendrat tregtare, të mos zhvillohen aktivitetet sportive e kulturore, madje edhe të mos ketë mbledhi të njerëzve në parqe të ndryshme.

Por ky vendim nuk i ka ndaluar qytetarët që të frekuentojnë Parkun e Gërmisë.

Të shumta janë makinat dhe qytetarë që janë parë në atë pjesë të qytetit të Prishtinës gjatë ditës së sotme.

Disa qytetarë kanë dërguar fotografi në KALLXO.com ku shihet një grumbullim i veturave të parkuara në hyrje të Parkut të Gërmisë.

Veturat në drejtim të Parkut të Gërmisë, Foto: KALLXO.com.

Në anën tjetër, sipas qytetarëve nuk është parë asnjë veturë e Policisë së Kosovës në atë zonë për të mbikëqyrur situatën pas masave të vendosura nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Të njëjta informacione, KALLXO.com i ka dërguar edhe në Policinë e Kosovës ndërsa deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Veturat në drejtim të Parkut të Gërmisë, Foto: KALLXO.com.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, të premten ka marrë një numër të madh vendimesh për mbrojtje nga COVID-19. Ndër to, me vendim të Hotit janë karantinuar edhe shtatë komuna të Kosovës. Ndonëse janë marrë një numër i vendimesh, Hoti ka kërkuar forma kreative  që qytetarët ta kalojnë vikendin.

“Numri i rasteve me #COVID19 tashmë ka marrë hov edhe në Kosovë. Jemi të detyruar t’i rrisim masat që të parandalojmë përhapjen e mëtejme të virusit.  Prandaj, ky vikend do të jetë më ndryshe. Jam i sigurt që të gjithë do të gjejmë forma kreative për ta kaluar këtë vikend me masa të reja, por ju lutem të siguroheni që t’i ndiqni rregullat sipas rekomandimeve të Institutit të Shëndetësisë Publike dhe Komitetit anti COVID”, ka shkruar Hoti.

Krahas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e veçanta kundër COVID-19, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka marrë vendim edhe për karantim të 7 komunave të Kosovës gjatë fundjavës.

Përmes këtij vendimi, ndalohet hyrja/dalja e qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 20:00 të së premtes deri në orën 05:00 të ditës së hënë, në Komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Gjilanit, Obiliqit, Gjakovës, Podujevës dhe Shtimes.