Vetëvendosje deklarohet për tubimin e djeshëm në sheshin e Prishtinës

Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nuk qëndron mprapa “provave” për protestë që u mbajtën një ditë më parë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku morën pjesë rreth 500 persona, me distancë fizike.

Zyra për Media e LVV-së, në një përgjigje për KALLXO.com ka deklaruar se kërkesa për protestë është e drejtë.

“Kjo nuk është protestë e organizuar nga LV, por qartësisht, kërkesa politike e kësaj proteste për zgjedhje të reja, është kërkesë e drejtë. Përderisa respektohet distanca e sigurisë mes qytetarëve, atyre nuk mund t’u ndalohet e drejta demokratike për të shprehur qëndrimin e tyre politik”, thuhet në përgjigje.

“Në këtë fazë, për shkak të administrimit të suksesshëm të sëmundjes nga qeveria e Kosovës, ne po shkojmë drejt lehtësimit të masave kufizuese”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Të martën, rreth 500 qytetarë kanë mbajtur “prova për protestë” në sheshin “Skendërbeu” në Prishtinë, duke mbajtur distancë fizike mes vete.

Pamjet nga ky organizim janë publikuar në grupin të mbështetësve të Albin Kurtit në Facebook-ut të titulluar “me Kryeministrin”.

Kurse, Policia e Kosovës në raportin 24 orësh e ka quajtur protestë tubimin e djeshëm.

“Dje në sheshin Skënderbeu të kryeqytetit, rreth orës 14:00 disa persona të shoqërisë civile kanë protestuar duke e mbajtur distancën, të cilët kanë qëndruar rreth 20 minuta në shesh dhe pastaj janë shpërndarë të qetë”, është përshkrimi që policia i ka bërë ngjarjes.

Ndërsa, ish-kandidati për deputet dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Valdrin Ahmeti dje  ka dhënë detaje për organizimin e provave për protesta.

Ahmeti ka shkruar në Facebook se janë bërë prova për protestë nga rreth 500 persona, sipas tij, në formë të kujdesshme e të kufizuar.

“Ditëve në vijim do ta bëjmë një provë me 1500 vetë. Protesta është e drejtë esenciale në një shoqëri demokratike, dhe mbarëvajtjen e saj në kuptimin e organizimit nganjëherë duhet ta garantojmë vet ne qytetarët”, ka shkruar Ahmeti.